Lajme

Luftimet në Sudan, vijon evakuimi i diplomatëve dhe shtetasve të huaj


Shumë vende kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë në Khartoum.

SHBA-të dhe Britania e Madhe njoftuan të dielën se kishin larguar diplomatët jashtë vendit.

Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja janë ndër vendet e tjera që gjithashtu kryen evakuime.

Një luftë e egër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe një force të fuqishme paraushtarake ka çuar në dhunë në të gjithë vendin.

Autoritetet amerikane thanë se kishin transportuar më pak se 100 persona me tre helikopterë Chinook të dielën në mëngjes në një operacion “të shpejtë dhe të pastër”.

Ambasada e SHBA-ve në Khartoum tani është e mbyllur dhe një postim në Tëitter në burimin e saj zyrtar thotë se nuk është mjaft e sigurt që qeveria të evakuojë qytetarët privatë amerikanë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar arriti të largonte diplomatët britanikë dhe familjet e tyre jashtë vendit në atë që u përshkrua si një operacion “kompleks dhe i shpejtë”.

Ministri i Jashtëm James Cleverly tha se opsionet për të evakuuar shtetasit e mbetur britanikë në Sudan ishin “shumë të kufizuara”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, konfirmoi se një aeroplan kishte mbërritur në Xhibuti me shtetas francezë.

Një pjesë e vogël e qytetarëve holandezë u larguan nga Khartoum me aeroplanin francez.

Ushtria gjermane tha se i pari nga tre avionët ishte nisur nga Sudani, me destinacion Jordaninë, me 101 persona në bord.

Italia dhe Spanja kanë evakuuar qytetarët – misioni spanjoll përfshinte shtetas nga Argjentina, Kolumbia, Irlanda, Portugalia, Polonia, Meksika, Venezuela dhe Sudani.

Vende të tjera evakuuan me sukses njerëzit të shtunën.

Më shumë se 150 persona, kryesisht qytetarë të vendeve të Gjirit, si dhe Egjiptit, Pakistanit dhe Kanadasë u evakuuan nga deti në portin e Arabisë Saudite të Jeddah.

Ka pasur thirrje të dëshpëruara për ndihmë nga shumë studentë të huaj – nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme – të cilët janë gjithashtu të bllokuar në Khartoum, një qytet me rreth gjashtë milionë banorë.

Ndërkohë, ka raporte se lidhja e internetit është shkatërruar në Sudan, gjë që mund të pengojë seriozisht koordinimin e ndihmës për të bllokuarit në Khartoum dhe qytete të tjera.

Lufta për pushtet ka parë bombardime të rënda në kryeqytet, me qindra të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur.

Të shtënat dhe bombardimet pothuajse të vazhdueshme në Khartoum dhe gjetkë kanë ndërprerë energjinë elektrike dhe aksesin e sigurt në ushqim dhe ujë për pjesën më të madhe të popullsisë.

Disa armëpushime që në dukje ishin rënë dakord nga të dyja palët u injoruan, duke përfshirë një pauzë tre-ditore për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit, e cila filloi të premten.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se luftimet kanë vrarë më shumë se 400 njerëz dhe mijëra të plagosur.

Por numri i të vdekurve besohet të jetë shumë më i lartë pasi njerëzit po përpiqen të marrin kujdes shëndetësor, pasi shumica e spitaleve të qytetit janë detyruar të mbyllen nga luftimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore