Kosova

Lufta ideologjike s’prodhon rezultat, Abdixhiku “duhet të ndërtojë aleanca me të gjithë ata që janë kundër Kurtit”


Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është duke tentuar – njëra nga mënyrat – për ta “luftuar” kryeministrin Albin Kurti, përmes thirrjeve për “bashkimin e së djathtës”, pra rikthimin e kësaj ideologjie në udhëheqjen e vendit, mirëpo sipas njohësve të çështjeve politike, kjo formë nuk është efektive, pasi që konsiderojnë se beteja kryesore e liderit të opozitës me kreun e ekzekutivit duhet të jetë në funksion të përballjes së tij me dështimet spektakolare në qeverisje, por edhe krijimin e aleancave me të gjithë ata që janë kundër Kurtit.

Abdixhiku, që nga ardhja e tij në krye të LDK-së, është përpjekur që të sjellë një frymë të re në parti, duke ndërmarrë reforma në subjektin politik më të vjetër në vend, por edhe ka prezantuar një plan-program të quajtur “Rruga e Re”, i cili beson që është zgjidhja për zhvillimin e shtetit në të gjitha sferat e tij.

Përveç këtyre, pothuajse në çdo tubim që e ka me qytetarët dhe simpatizantët e partisë që drejton, Abdixhiku është duke bërë thirrje për bashkim të së djathtës – ideologji të cilën ai thotë se e beson, por edhe ajo se për çfarë LDK-ja ka qëndruar gjithmonë – pasi që po konsideron që është zgjidhja e vetme për vendin në rrethanat në të cilat gjendet, derisa ka rritur dozën e kritikës për Kurtin sa i përket orientimit të tij ideologjik, që prezantohet si socialdemokrat, apo i majtë.

Por, për filozofin Afrim Kasolli, narracioni publik për të shpërfaqur kryeministrin duhet të jetë ndryshe nga ajo se çfarë është duke e bërë Abdixhiku.

“Beteja kundër kryeministrit Kurti duhet të jetë politike. Fillimisht demaskimin e atyre që ka premtuar Kurti brenda një mandati dhe nuk ka arritur t’i plotësojë. Po ashtu programore”, thotë Kasolli në një bisedë për “Albanian Post”.

Por assesi, sipas tij, “me një mishmash programor sikur ai i ‘rrugës së tretë’, apo ‘të re’”, që sipas vlerësimit të tij, nuk është asgjë tjetër “pos një sinonim i të majtës evropiane pas përfundimit të Luftës së Ftohtë”.

“Në anën tjetër, Kurti nuk mund të mundet duke u bunkerizuar brenda një llogarie ideologjike, por vetëm duke ndërtuar aleanca shoqërore dhe politike me të gjitha ato grupe shoqërore që janë të pakënaqura me pushtetin e Kurtit”, shtoi.

Pra, në prizmin e tij, Kurti mund të sfidohet vetëm politikisht.

“Problemi më madhor i shtetit të Kosovës mbetet përmbyllja ndërkombëtare e shtetësisë, pa përjashtuar telashet e brendshme sociale dhe ekonomike. Dhe më shumë se çështje ideologjike ky proces kërkon një qasje tjetër diplomatike. Ndërkohë për këto vite në opozitë lideri i LDK ka dëshmuar se pikërisht i mungon kjo aftësi”, mendon.

Përveç kësaj, njohësi i zhvillimeve politike thekson se edhe mënyra se si Abdixhiku, i ka përdorur këta terma ideologjik, “vetëm sa ka dëshmuar se është rob i disa klisheve të zakonshme mbi ideologjitë”.

“Askush nuk e konteston se ideologjitë, sikur shumë forca tjera sociale dhe shoqërore, kanë ndikim në prodhimin e mobilizimit politik. Mirëpo, ideologjitë  paraqesin edhe anën e ‘vetëdijes e shtrembëruar’, apo siç, ka thënë Hannah Arendt, në librin e saj ‘Origjinat e totalitarizmit’ se ‘ideologjitë shkëputen prej realitetit që e perceptojmë me pesë shqisat tona dhe duke e ndërtuar një realitet të vetin’”.

Prandaj, Kasolli beson se nëse çdo gjë reduktohet vetëm në luftë ideologjike “atëherë edhe realitetit plural politik reduktohet dhe simplifikohet në një skemë unike”.

Ndërsa, sipas sociologut Shkodran Ramadani, orientimi, apo qartësimi i një partie politike sa i përket aspektit ideologjik është i mirëseardhur, por megjithatë vlerëson se një gjë e tillë nuk mund të ketë ndonjë efekt të madh në aspektin e bindjes së njerëzve për ta votuar, posaçërisht në vendin tonë, pra në situatën aktuale ku gjenden qytetarët e Kosovës sa i përket aspetit të mirëqenies.

“Nuk besoj që është shumë profitabile në kuptimin e votave, për shkak se njerëzve nuk është që u intereson shumë a je i majtë apo i djathtë. Ata janë të interesuar për një qeveri që i ndihmon atyre, që ua lehtëson jetesën, ua lehtëson operimin e bizneseve, krijon vende të punës…”, thotë Ramadani në një prononcim për Albanian Post.

Por, përkundër kësaj, ai prapë se prapë konsideron se një parti politike që është e orientuar kah e djathta, është zgjidhja më e mirë për udhëheqjen e vendit.

“LDK-ja e ka drejtimin e duhur, siç e ka PDK-ja, siç e ka AAK”, beson ai, derisa rikujton faktin se edhe partia që aktualisht ka pushtetin, pra Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka zbatuar e nuk po zbaton politika qeverisëse ashtu edhe siç e ka profilizuar veten.

“Nuk besoj që VV është duke e aplikuar një ideologji të majtë, në fakt ka politikë kogja të djathtë për sa i përket ekonomisë, për shkak se dy prej njerëzve kryesore për hartimin e politikave ekonomike [Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati] në VV janë të djathtë”, pohon Ramadani për AP.

Gjithashtu, sociologu vëren se në Kosovë ka edhe politika të majta të cilat qytetarët i dëshirojnë.

“Ne si shoqëri kërkojmë një përfshirje të shtetit në jetën e qytetarëve, kërkojmë nga shteti të iu ndihmojë në lehtësimin e jetesës, dhënien e asistencës”.

Në këtë drejtim, ai vlerëson se politika e djathtë pak është në kundërshtim me këto preferenca.

“Nëse ne llogarisim se qytetarët i duan politikat e majta deri dikund, atëherë nuk besoj se ndihmon shumë në performoncë elektorale ky profilizim i LDK-së”, potencon Ramadani ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore