Shqipëria

Lotaria komuniste e trashëguar në demokraci


Kreditë kanë marrë popullaritet që me hyrjen e sistemit bankar në fillim të viteve 90’ në Shqipëri. Mania globale e huave të shlyera në vite kaploi edhe vendin tonë të vogël në Ballkanin perëndimor.

Përmes kompleksitetit të firmave piramidale në vitet 90’, interesave të larta bankare në vitet 2000 dhe çmendurisë së kredive të këqija gjatë viteve 2010, diçka ka mbetur konstante. Një kulturë e trashëguar nga një kohë kur asnjë nga të lartpërmendurat nuk ekzistonte.

Të njohura si “lotari”, ato që lindën nga një pamundësi në komunizëm, u trashëguan si një traditë e pëlqyeshme në demokraci.

Këto lotari punojnë si grupe të ndërtuara midis miqsh. Një shumë e caktuar kontribuohet nga gjithsecili çdo muaj. Më pas, me short, caktohen afatet se kur do të përfitojë shumën tërësore çdokush.

“Kjo ishte mënyra se si në komunizëm mund të blije një lavatriçe, frigorifer, televizor”, tregon për Albanian Post Rozana, një grua 50 vjeçare e cila merr pjesë në një organizim lotarie.

“Kostoja mujore e produkteve e kalonte rrogën mujore. Kështu, mbledhja e një sasie të caktuar lekësh, bëhej në këtë mënyrë. Nëse grupi ka 12 persona, çdo muaj depozitohet një shumë e caktuar”.

“Më pas sipas radhës së paracaktuar ose me short, përfiton secili nga anëtarët. Një mënyrë e sigurt se si në një muaj të caktuar ti mund të kesh një rrogë shtesë në buxhet”.

Për këtë procedurë zgjidhet një administrator. Kryesisht, personi më i besueshëm i grupit dhe më korrekti. “Kjo nxit edhe një marrëdhënie pozitive pasi njihesh me hallin e tjetrit. Shpesh reflekton dhe problemet e tua tek ajo çfarë të tjerët thonë”, shton 50 vjeçarja.

Po të rinjtë?

Rozana nxorri në dritë diçka tjetër shumë interesante. Ndërkohë që kjo është një “traditë komuniste”, edhe persona të rinj kanë dëshirë të marrin pjesë. “Ato dëshirojnë më shumë madje. Për shkak se paguajnë kredi për shtëpi gjithsesi, i kanë të ardhurat e kufizuara.

Këtë fakt e pohon edhe Migena, një nga pjesëtaret e grupit të Rozanës.

“I kam të ardhurat mujore të kufizuara. Sakrifikoj pak dhe futem në lotari pavarësisht kësaj. Kam dëgjuar shumë që e bëjnë dhe doja doemos të isha pjesë e një grupi të tillë edhe unë. Më ndihmon edhe të socializohem me kolegët”.

Jurgena, një e re e pasionuar pas veshjeve, thekson se “nuk mund të kursejë 10 mijë lekë në muaj për tekat e saja”.

“Po t’i kem në llogari i drejtohem bankomatit dhe i tërheq të gjitha. Kur i dorëzoj tek personi përkatës ndërkaq, nuk i cilësoj më si të mijat. Mendimi se së shpejti do të më takoj mua të marr një shumë të caktuar, më qetëson nga nxitja e blerjeve”.

Të njëjtën gjë pohon edhe psikologia Ledjona Spahiu, e cila vetë ka qenë e përfshirë në një grup të tillë lotarie.

“Është e vërtetë që krijon një ndjenjë sigurie. Ka një element frenimi në shpenzime kur detyrohesh përpara një grupi personash të kontribuosh. Kur ke të tillë ndjenjë përgjegjësie, frenohesh në shpenzimin e pakufishëm të parave. Për raste të tilla, është e këshillueshme pjesëmarrja”.

Overdraft vs Lotari/Burra vs Gra

Nëse do t’i referohemi sistemeve të mirëfillta bankare, gjëja më e ngjashme me lotarinë është overdrafti. Ky i fundit, lejon të marrësh një shumë përtej pagës mujore që përfton. Pagesa bëhet me këste në një kohë kryesisht një vjeçare.

Kjo gjithsesi, është kundrejt një interesi. Lotaria ndërkohë, nuk përfshin asnjë interes shtesë dhe shumat e hedhura dhe të tërhequra janë neto. Për shkak të këtij kushti themelor, pjesëmarrësit e shohin si më praktike dhe të përshtatshme lotarinë.

Përsa i përket gjinive, gratë janë ato që përdorin më së shumti këtë metodë, shpjegon Rozana.

“Duke qenë se gratë i mbajnë kryesisht të ardhurat e shtëpisë, ato janë pjesëmarrëset kryesore. Prania e një burri madje, krijon edhe ilaritet në grup. Kemi pasur raste të tilla dhe kanë qenë shumë gazmore. Sidomos kur dëshirat e tij ishin tërësisht të kundërta me ato të ne pjesëmarrëseve gra”.

Në komunizëm, mbajtja e lotarive e jashtëligjshme. Si mënyrë e vetme për t’u kursyer, ato zhvilloheshin në fshehtësi.

Sot, ndoshta jo aq në fshehtësi, tradita vazhdon. Një traditë e trashëguar nga një sistem tërësisht i mbyllur drejt një sistemi tërësisht të hapur.

Një lotari ku fituesi është i garantuar. Një lotari komuniste, me ideale thellësisht demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore