Lajme

Lorenzo Fontana, kush është kryetari i ri i dhomës së përfaqësuesve në Itali?


Lorenzo Fontana, një politikan 42-vjeçar nga Verona e Italisë, është zgjedhur si kryetari i ri i dhomës së përfaqësuesve në Itali.

I ardhur nga radhët e Partisë “Lega Nord”, Fontana ka ushtruar më parë detyrën e ministrit për Punët e Evropës në qeverinë e ish-kryeministrit italian, Giuseppe Conte.

Kështu, duke e plotësuar krejtësisht tablonë thelbësisht të djathtë, që strukturat shtetërore italiane po marrin pas fitores bindëse të të djathtës ekstreme në zgjedhje parlamentare, ku fituese u shpall Giorgia Meloni, e cila do të marrë postin e kryeministres.

Kush është gjithsesi Fontana, i cili njihet edhe si një prej aleatëve më të afërt të Matteo Salvinit, sekretarit të përgjithshëm të Lega Nord?

Sipas vetë Salvinit, miku i tij Fontana, ka karakteristika të një ideologu në rrjedhën e re që partia “Lega” ka marrë.

Një katolik integral, kreu i ri i dhomës së përfaqësuesve italianë, e përmendi edhe në fjalimin e marrjes së detyrës Papa Francesco-n, si referencë shpirtërore për të gjithë kombin italian.

Në pikëpamje ideologjike gjithsesi, Fontana njihet për qasjen radikalisht të djathtë, ku në të shkuarën nuk kanë munguar as afiliacionet me neonazistët gjermanë të ADF apo “Agimin e Artë” në Greqi.

Mbi Evropën, ai ka një pozicionim ekstrem, duke vlerësuar maksimalisht daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, si një shenjë e ngjarjeje të madhe për “makthin”, në të cilin BE-ja është kthyer së fundmi.

Pikëpamjet e tij radikale në çështjet e emigracionit apo të drejtat e komunitetit LGBT, Fontana i ka shpalosur gjithnjë lirshëm.

Teksa, pozicionim të dyshimtë ka pasur edhe në kauzën e gadishullit të Krimesë, ku ai është shprehur në favor të Vladimir Putinit asokohe, mbi aneksimin e rajonit ukrainas.

Madje, autokracia ruse, ka qenë në të shkuarën e afërt edhe modeli i tij, për të zhvilluar fushatën politike dhe sot, dhoma e përfaqësuesve në Itali, drejtohet pikërisht nga ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore