Lajme

“Lojërat e luftës në Gjirin Persik, paralajmërim për Izraelin”


“Lojërat e luftës të zhvilluara këtë javë nga Irani në Gjirin Persik kishin për qëllim t’i dërgonin një paralajmërim Izraelit”.

Kështu thanë komandantët e lartë ushtarakë të Iranit, mes shqetësimeve mbi planet e mundshme izraelite për të shënjestruar vendet bërthamore iraniane.

Lojërat luftarake të Gardës Revolucionare përfshinin gjuajtjen e raketave balistike dhe të lundrimit.

Televizioni shtetëror tregoi raketa duke rrafshuar një objektiv që i ngjante reaktorit bërthamor Dimona të Izraelit.

“Përmes një simulimi të objekteve atomike Dimona, Garda Revolucionare praktikoi me sukses sulmin ndaj kësaj qendre kritike të regjimit sionist në stërvitjen e tij raketore”, tha agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve “Tasnim”.

“Këto stërvitje kishin një mesazh shumë të qartë: një paralajmërim serioz, real ndaj kërcënimeve nga autoritetet e regjimit sionist që të kenë kujdes nga gabimet e tyre”, tha shefi i Gardës, gjenerali Hossein Salami në TV shtetëror.

Ai shtoi se “ne do t’i presim duart nëse bëjnë një lëvizje të gabuar. Distanca midis operacioneve aktuale dhe stërvitjeve ushtarake është vetëm një ndryshim në këndet e lëshimit të raketave”.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Mohammad Bagheri tha se 16 raketa balistike të klasave të ndryshme ishin lëshuar njëkohësisht dhe kishin shkatërruar objektiva të paracaktuara.

Irani thotë se raketat e tij balistike kanë një rreze prej 2 mijë kilometër (1 mijë e 200 milje) dhe janë të afta të arrijnë në bazat e armikut të Izraelit dhe të SHBA-ve në rajon.

Ai ka një nga programet më të mëdha raketore në Lindjen e Mesme, duke i konsideruar armë të tilla si një forcë e rëndësishme parandaluese dhe hakmarrëse kundër SHBA-ve dhe kundërshtarëve të tjerë në rast lufte.

Izraeli, i cili kundërshton përpjekjet e fuqive botërore për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Teheranit të vitit 2015, ka kërcënuar prej kohësh me veprime ushtarake nëse diplomacia dështon. Irani thotë se ambiciet e tij bërthamore janë paqësore.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz u ka bërë thirrje fuqive botërore që të mos lejojnë Iranin të luajë me kohë në negociatat bërthamore, në pushim me kërkesë të Iranit dhe të planifikuar për të rifilluar të hënën e ardhshme.

Izraeli besohet gjerësisht të jetë i vetmi vend i Lindjes së Mesme me një arsenal bërthamor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore