Lajme

Llava e vullkanit ka arritur në qytetin e Grindavik në Islandë


Llava nga vullkani islandez që shpërtheu dje për herë të dytë arriti në qytetin e Grindavik, i cili ishte evakuuar plotësisht disa orë më parë, rreth orës 03:00 me orën lokale.

Qyteti me katër mijë banorë ishte boshatisur tashmë, për të njëjtën arsye, në nëntor dhe gjithashtu në dhjetor.

Sakaq, sot në mëngjes rrjedha shpërthyese filloi të humbiste forcën.

Ngjarjet e këtij lloji janë relativisht të shpeshta në ishull, i cili ka 33 vullkane aktive: ato ndodhin rreth një herë në vit dhe ky është i pesti në dy vitet e fundit.

Megjithatë, kishin kaluar 51 vjet që kur flakët kishin prekur shtëpitë e civilëve.

Muajin e kaluar, disa barriera u vendosën për magmën, por ato nuk do të kishin mundur ta frenonin plotësisht: fluksi i vuri flakën disa shtëpive dhe pushtoi rrugën kryesore të Grindavikut, duke e ndarë atë në dysh.

Ndërkohë atje është shpallur një emergjencë kombëtare, niveli më i lartë i alarmit.

Kryeministrja Katrín Jakobsdóttir ka thënë se “është një ditë e zezë për Grindavik dhe gjithë Islandën, por dielli do të lindë përsëri”.

“Së bashku do ta përballojmë këtë tronditje dhe gjithçka që pason”.

Ky është shpërthimi i dytë në më pak se një muaj në gadishullin Reykjaness dhe i pesti nga viti 2021 deri më sot.

Deri më tani asnjë fluturim nuk është pezulluar dhe aeroporti më i afërt, Keflavik, ka vazhduar të funksionojë normalisht.

Sipas ekspertit Robin Andrews, situata “mbetet jashtëzakonisht e rrezikshme”.

Referuar shërbimit meteorologjik islandez, rrjedha e llavës – nga dy çarje në tokë, të cilat u hapën disa qindra metra larg qytetit – më në fund ka filluar të ngadalësohet.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore