Bajrami: Pengmarrja e institucioneve nga LVV po i kushton qytetarëve, s’jemi pjesë e teatrit të tyre politik
Pas dështimit të tetë radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj procesit të formimit të institucioneve, duke e quajtur “pengmarrje të institucioneve”.
“Është hera e gjashtë që zonja Haxhiu mori vetëm 54 vota dhe ata insistojnë në këtë kandidaturë duke u mbledhur çdo 48 orë”, tha Bajrami, duke e cilësuar qasjen e Vetëvendosjes si bllokuese dhe jo në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje kushtetuese.
Ajo ritheksoi qëndrimin e LDK-së për të mbështetur një zgjidhje që respekton rendin kushtetues dhe rezultatin zgjedhor, por pa u bërë vegël e një subjekti tjetër.
“Ne e njohim të drejtën e të parit për të propozuar, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne e bartim votën tonë te një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesave të tyre.”
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje është përgjegjëse për krizën aktuale institucionale.
“Pengmarrja e institucioneve nga LVV-ja është duke i kushtuar qytetarëve të Kosovës, ata po përballen me probleme të ndryshme dhe askush ato nuk po i adreson.”
Bajrami përfundoi duke shprehur keqardhje për situatën aktuale politike dhe bllokimin e institucioneve.
“Na vjen keq që jemi pjesë e këtij teatri, që besoj që është bërë mjaft për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.”
