Cakolli e quan “tallje me qytetarët” atë që po bën Kuvendi
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar ashpër mungesën e vullnetit për konsituimin e kuvendit, duke e cilësuar tallje me qytetarët e Kosovës.
“Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët. Edhe sot, një të diel, një tjetër seancë për pesë minuta ‘punë’ – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin”.
Cakolli gjithashtu theksoi se një marrëveshje e mundshme do të ishte e dukshme vetëm përmes ndryshimeve të qëndrimeve dhe deklaratave, veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje”.