Haradinaj: Letra e Kurtit drejtuar LDK-së është vonuar
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar përpjekjen e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të gjetur një zgjidhje pas bllokadës politike në vend, përmes një letre dërguar LDK-së ku kërkohet koalicion qeverisës. Haradinaj e cilësoi këtë iniciativë të vonuar dhe theksoi se ajo duhej të ndodhte menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve, jo të priten 90 ditë. Është situatë e rëndë në Kosovë, po i harrojmë temat e tjera. Rritja e çmimit të energjisë është bërë e rëndë për prodhuesit dhe ne jemi vend që importojmë shumë. Kanë me pas zor me i mbajt punëtorët, jemi duke humbur kohë, duhet të kujdeset dikush për ta,” tha Haradinaj pas dështimit të njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.
Ai shtoi se për të zhbllokuar situatën, vendi ka nevojë për një kandidat që mund të pranohet edhe nga partitë tjera opozitare.
“Si fillim Kurti do ta jepte një shenjë të mirë që e ka ndërmend që të ecë përpara, duke gjetur një kandidat që LDK-ja mund ta votojë, PDK-ja ose ne,” u shpreh ai.