Kosova

Lirohet edhe një serb që dyshohet se i rrahu gazetarët në Veri


Një serb me inicialet Delibor Spasiç, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Zveçan është liruar nga paraburgimi.

Lajmin e ka konfirmuar për mediumin serb Kossev, avokati i tij Srdan Mitroviç.

“Sot rreth orës 15:10, pas pagesës së garancisë, gjyqtari ka dhënë urdhër në burgun e Podujevës që D.S. të lirohet. Për disa orë ai do të jetë në Mitrovicë dhe do të mund të mbrohet në liri”, tha Mitroviç.

“Ne si mbrojtje kemi paraqitur kërkesë që ai të lirohet me kusht dhe gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar atë propozim”.

Ai ka treguar se klienti i tij është trajtuar mirë nga policia sa kishte qëndruar në paraburgim.

Dy ditë më parë, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar lirimin edhe të serbit tjetër Nemanja Vllaskoviç-it, njëri nga të dyshuarit për sulme ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës.

Zëdhënësja e Gjykatës në Mitrovicë, Lumnije Surdulli, ka thënë se Vllaskoviçi është liruar pasi ka paguar dorëzaninë.

Arrestimi e tij më 16 qershor e kishte njoftuar vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ndërsa kishte thënë se Vllaskoviç-i do të ballafaqohet me drejtësi për sulmin e kryer ndaj gazetarëve në Komunën e Leposaviqit mëe 29 maj.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskoviç do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, kishte njoftuar ai.

Sveçla kishte thënë se “të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”.
Ndryshe, rreth 20 media u sulmuan gjatë tensioneve në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore