Kosova

Lirohet çmimi i rrymës për 8% për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë


Foto: Albanian Post.

Në mbledhjen e mbajtur të martën nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), është liruar çmimi i energjisë elektrike për 8 për qind për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh.

Vendimin e ka miratuar bordi i ZRRE-së, duke thënë se tarifat e reja do të vlejnë nga 1 prilli.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në mbledhjen e bordit ka deklaruar se kjo ka ndodhur për shkak se importi me shumicë i energjisë elektrike ka pasur zbritje.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë ne, sidomos për konsumatorët që edhe këtë vit do të kemi një zbritje përveç mbështetjeve tjera që u janë ofruar nga institucionet e tjera gjatë vitit të kaluar”.

“Duhet të theksohet që importi i çmimit për energji me shumicë ka pasur zbritje dhe si rezultat janë reflektuar edhe tarifat e konsumatorëve”, ka thënë Fejzullahu.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kishin thënë se kanë dorëzuar kërkesë për rishikim të çmimeve tek KESCO/KEDS.

“Propozimi I KEK për çmimet e reja ka qenë 31.50€ për KESCO dhe 39.10€ për KEDS. Megjithatë, KEK nuk ka informata që është aprovuar rritja e çmimit sipas kërkesës tone, për më tepër gjatë shqyrtimit tarifor nga ZRRE bazë për kalkulimin e të hyrave për KESCO/KEDS është marrë çmimi aktual me të cilin furnizohen”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga KEK-u për kërkesën e bërë kanë thënë se çmimet e energjisë nuk kanë pësuar ndryshime që nga viti 2019 me kërkesë të KEK-ut, por kanë lëvizur për arsye tjera.

Kërkesën thonë se e kanë bërë me qëllim që të sigurojnë mjete të mjaftueshme për të bërë investime të nevojshme kapitale.

Nga 1 prilli i 2023-ës qytetarët në Kosovë kanë nisur t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa 3.34 centë gjatë natës.

E në dhjetor faturat sërish kishin pësuar rritje pa paralajmërim.

Nëse çmimet e rrymës rriten sërish “ka ndërhyrje politike” – rrugët ligjore e vetmja zgjidhje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore