Lajme

Lirohen nga paraburgimi dy edukatoret që akuzoheshin për rrahjen e 3-vjeçarit në çerdhen publike


Pamje të publikuara nga Fatos Geci.

Dy edukatorët të cilat akuzoheshin për dhunë ndaj një fëmije trevjeçar në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë, janë liruar nga paraburgimi.

Lajmi është bërë i ditur nga Gjykata Supreme, teksa rasti ishte kumtuar me 19 shtator.

Ndaj të njëjtave më 9 tetor, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë, për keqtrajtimin e një fëmije në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë gjatë muajit shtator të këtij viti.

Sipas organit të akuzës, N.M dhe N.H, akuzoheshin për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe për “lëndim të lehtë trupor”.

“Sipas aktakuzës, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, konkretisht staf i angazhuar në Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur brenda hapësirave të këtij institucioni, ku si pasojë e këtyre veprimeve të njëjtat kanë kryer veprat penale të lartcekura”, thuhej në njoftim.

“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”.

Më 19 shtator, përmes një video të publikuar nga familjari i 3-vjeçarit, Fatos Geci, pamjet tregojnë momentin ku nipi i tij tërhiqet zvarrë për duarsh nga njëra edukatore.

Në pamjet e publikuara fillimisht shihej një edukatore duke ushtruar dhunë ndaj nipit të Gecit, për të dytën herë ndaj tij ushtron dhunë një mirëmbajtëse e çerdhes, pastaj sërish një edukatore e cila e tërheq në dysheme.

Geci, në shkrimin e tij të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se nipi i tij ka pësuar trauma të rënda psikikë.

Edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, kishte reaguar ndaj dhunës që është ushtruar ndaj trevjeçarit në çerdhen publike “Gëzimi ynë”, duke thënë se e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor.

3-vjeçari dyshohet se është rrahur nga tri edukatore në çerdhen publike në Fushë Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore