Kosova

Lirohen nga akuza gjashtë të akuzuarit për falsifikim të rezultateve të votave


Ilustrim.

Gjashtë të akuzuarit, Venera Bogujevci, Fiona Zylfiut, Fisnik Sllamniut, Abdurrahman Tërmkollit, Zejnepe Krasniqit dhe Arton Beqirit, janë liruar nga akuza për falsifikim të rezultateve të votave.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas gjyqtarit, nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer këtë vepër penale, andaj gjykata ka marrë aktgjykim lirues.

E akuzuara Venera Bogujevci kishte qenë kryesuese, ndërsa Zylfiu, Sllamniku, Tërmkolli, Krasniqi dhe Beqiri, kishin qenë anëtarë të Këshillit të vendvotimit.

Kështu, ata ngarkoheshin se ia kanë shtuar Partisë Demokratike të Kosovës 20 vota, Lidhjes Demokratike të Kosovës, ia kanë shtuar 3 vota, Lëvizjes Vetëvendosje ia kanë shtuar 8 vota, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 2 vota, IRDK-së një votë, PLE-së ia kanë shtuar një votë dhe NISMA-s ia kenë shtuar tri vota.

Ndërsa kandidatëve të tjerë nga këto parti u kanë hequr: PDK-së 13 vota, LVV-së 1 votë, LDK-së 27 vota, IRDK-së 1 vote, AAK-së 7 vota, NISMA-s 2 vota dhe PLE-së i kanë shtuar 1 votë, e të gjitha këto ndryshime i kanë bartur në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

Të akuzuarit, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë “falsifikuar rezultatet e votimeve”, ku dënimi parashihet prej tre deri në pesë vite burgim.

Më 16 mars, ish-deputeti i AAK-së Haxhi Shala ishte deklaruar i pafajshëm për falsifikim të rezultateve të votimit, në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Njejtë si Shala, ishin deklaruar edhe Arber Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj, dhe Dardan Gashi, të akuzuarit e tjerë në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore