Kosova

Lirohen katër të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë


Këtë të mërkure, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se të martën janë liruar nga arresti katër persona të cilit ishin të dyshuar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Sipas njoftimin të Prokurorisë, këta persona janë liruar pasi që nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.

“Ju njoftojmë se katër perona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet aty, të dyshuarit e liruar ishin arrestuar larg vendit të ngjarjes.

Çka ndodhi?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Heroi, Afrim Bunjaku.

Pas kësaj, Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës asgjësoi katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë, vlera e të cilave kap shifrën 5 milion euro.

Sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar të gjitha vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Në këtë sulm terrorist nga pamjet e publikuara nga policia të martën u vërtetua se pjesëmarrës ka qenë edhe terroristi edhe krimineli, nëjherit nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – Milan Radojiçiç.

Ndërsa, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, terroristët që u futën në Manastirin e fshatit Banjskë në Zveçanit të dielën e 24 shtatorit ishin të përgatitur që të kalonin edhe në Mitrovicën Jugore dhe të deklaronin ndonjë autonomi.

“Plani i tyre ka qenë që ata të zbresin më në jug, deri në vijën e lumit Ibër. Dhe me këtë përmes sulmeve të pamundësojnë Policinë e Kosovës të veprojnë lirshëm dhe të deklarojnë ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, tha Sveçla për “EuronewsAlbania”.

Sipas tij, terreni i vështirë dhe hapja e rrugëve të reja në kufi, ka bërë që grupi duke u kamufluar me makinat e KFOR-it të sjellë armatimin në Kosovë.

“Ai terren është i vështirë dhe në vazhdimësi kemi zbuluar rrugë të reja. Më herë kemi zbuluar 16 rrugë të reja”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore