
Gjykata e Apelit të Tiranës ka caktuar masën arrest me burg për Havier dhe Rozeta Dobin të cilët u zbuluan për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesën e zyrtares Alda Klosi dhe për 400 mijë euro të tjera.
Si fillim mendohej se kishin vjedhur 120 mijë euro nga shtëpia e një punëdhënëseje, kur në realitet është zbuluar se shumat e përvetësuara nga ata prej grabitjeve i kalonin 400 mijë eurot.
Kështu zbuloi një hetim i gjerë i Policisë së Shtetit, të cilët gjatë kontrollit të banesës, gjetën të fshehur në tubat e aspirimit 404 mijë e 800 euro, 8 mijë e 500 dollarë dhe aksesorë të ndryshëm floriri.
Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi, u bënë emra të njohur për shqiptarët, pas rastit flagrant të grabitjes së 120 mijë eurove nga një shtëpi në rrugën e Kosovarëve në Tiranë, ku e ëma ishte e kontraktuar si mirëmbajtëse e apartamentit.
Djali ndërkaq, nuk ngurronte as të bënte publike në media sociale jetën e tij luksoze, ku publikonte fotografi me makina të shtrenjta e bizhuteri të shumta.
Sipas dinamikës së ngjarjes, Rozeta Dobi, e cila ishte punonjëse e mirëmbajtjes në shtëpinë ku u vodh shuma e parave, e organizoi dhe inskenoi bashkë me të birin gjithë skenarin, duke e lënë shtëpinë rrëmujë.
Më pas, me lekët e grabitura, ata kishin blerë edhe dy automjete luksoze, si edhe bizhuteri të shumta.
Çfarë përmban dosja e plotë?
Në dosje thuhet se denoncimi i parë është bërë më 15 dhjetor nga Alda Klosi, e cila ka konstatuar vjedhjen dhe që në fillim ka thënë se dyshonte te pastruesja e saj.
Aty bëhet me dije se:
Më datë 15.12.2022, rreth orës 14:10, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion” është vjedhur banesa e shtetases Alda Klosi.
Menjëherë pas njoftimit të marrë është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. I është marrë deklarimi të dëmtuarës shtetases Alda Klosi, e cila deklaron se, prej rreth dy muajve kishte marrë një banesë me qira tek pallati ‘Orion” në Rruga e “Kosovarëve”, ku jetonte së bashku me vajzën e saj te quajtur Simona Klosi, e datëlindjes 20.09.2006.
Me datë 15.12.2022, rreth orës 10.08 ajo ka dalë nga banesa, ka mbyllur derën me çelës dhe ka marrë makinën poshtë pallatit dhe ka shkuar në një takim me dy mikeshat e saj tek OSHEE. Mbasi ka mbaruar takimin ka shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës.
Rreth orës 14.00 atë e ka telefonuar vajza e saj Simona dhe i ka komunikuar se dera e banesës ishte e hapur, ajo i ka komunikuar se e kam mbyllur dhe më pas ka shkuar tek banesa ku ka konstatuar se tek dhoma e gjumit të gjitha rrobat e dollapit kanë qenë të hedhura mbi krevat dhe në dysheme. Pas kontrollit të bërë ajo sqaron se i mungonin të gjitha bizhuteritë të shumë viteve të cilat i ka pasur tek sirtari i parë i komodinës së vogël, në krah të dollapit.
Në lidhje me vjedhjen e banesës së saj e dëmtuara ka pasur dyshimet kryesore tek pastruesja e cila quhet Rozeta Dobi.
Arrestimi i Rozeta dhe Havier Dobi
Ishte një operacion policor, i koduar “Inside”, ai i cili bëri të mundur kapjen e të dyve.
Gjatë kapjes së tyre, janë sekuestruar mbi 8 milionë lekë, të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga banesa, tre automjete (dy prej të cilëve të blerë me paratë e vjedhura) si edhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së krimit.
Nga provat e siguruara prej organeve hetuese, është zbuluar se Dobi ka qenë e punësuar në mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve dhe ajo së bashku me djalin e saj, e kanë vjedhur shumën e madhe, duke përfshirë sende me vlerë.
Gjatë kontrollit fillestar në banesë, atyre iu gjetën shuma parash në vlerën e 58 mijë e 150 eurove, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë dhe sende me vlerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com