Shqipëria

Ligji i ri për Policinë e Shtetit javën që vjen kalon për miratim, Balla: Reduktim gradash


Javën që vjen, ligji i ri për Policinë e Shtetit pritet t’i kalojë Këshillit të Ministrave për miratim.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm, pas një takimi me donatorët ka thënë se ky projektligj garanton sistem karriere brenda Policisë së Shtetit.

Po ashtu ai ka theksuar se është propozuar reduktim i gradave në të gjithë strukturën. Kjo për arsye që efektivëve të rinj t’u jepet mundësi që të bëjnë karrierë.

“Pas kaq shumë viteve reflektim mbi nevojat që ka një proces reformimi i mëtejshëm i Policisë erdhi momenti për një ligj të ri, që të garantojë një sistem karriere brenda policisë së shtetit, të lidhet me rezultat dhe punën e secilit prej punonjësve. Kemi propozuar një reduktim të numrit të gradave të gjithë nivelit të strukturës së gradave në polici, me qëllim që t’i japim mundësi të rinjve që të bëjnë para në karrierën e tyre deri në nivelet më të larta drejtuese të policisë. Pa harruar që fokusi im si ministër mbetet edhe pjesa e trajtimit të duhur financiar dhe vlerësimit të punës së policëve”, ka thënë Balla.

Ndër të tjera, Balla ka shpjeguar se projektligji i ri parashikon ngritjen e strukturave të reja brenda Policisë së Shtetit që do bëjnë vlerësimin për përzgjedhjen e kandidatëve në pozicionet drejtuese, që sipas tij do të shmangë çdo lloj ndërhyrje.

“Bllokimit të çdo lloj ndërhyrje sa i përket procesit të emërimeve brenda policisë. Kemi krijuar disa struktura të reja brenda Policisë së Shtetit, të cilat bëjnë vlerësimin dhe ndihmojnë drejtorin e përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në pozicionet drejtuese”, ka shtuar Balla.

Sakaq, projektligji parashikon edhe afat në mandatin jo vetëm për Drejtorin e Përgjithshëm, por edhe për drejtorët e Drejtorive të Policisë vendore.

“Kemi futur edhe konceptin e mandatit, jo vetëm drejtori ka një mandat të caktuar kohor, jo vetëm drejtori apo zëvendësdrejtori i përgjithshëm por edhe drejtorët e Drejtorive Vendore kanë një mandat që ndërlidhet me prerformancën, duam të garantojmë një strukturë policore dhe drejtues në nivel vendor që të jenë të sigurt, të fortë dhe udhëheqës në atë mandat që kanë për të garantuar rendit dhe luftë kundër çdo lloj forme kriminaliteti. Ligji i ri do përputhet me pritshmëritë tona për ta vazhduar dhe thelluar këtë revansh në luftën kundër krimit dhe konsolidimin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore