Përballje

Liga e Konferencës/ Ekipet shqiptare luajnë ndeshjet e kthimit për kalimin në raundin tjetër


Sonte (e enjte) do të zhvillohen ndeshjet e kthimit të raundit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Drita siguroi një biletë për në xhiron tjetër të këtyre kualifikimeve, derisa me këtë mision sonte do të zbresin në fushë edhe pesë skuadra tjera shqiptare.

Partizani dhe Laçi nga Shqipëria, Gjilani dhe Llapi nga Kosova dhe Shkëndija e Tetovës.

E para që do të luaj ditën e sotme është Gjilani, që ka udhëtuar drejt Letonisë për ta luajtur ndeshjen e dytë ndaj Liepaja-s.

Ndeshjen e parë të luajtur në Prishtinë e fitoi skuadra e Gjilanit me rezultat 1:0, andaj ata do të kërkojnë të ruajnë rezultatin, për të marrë një biletë për në raundin tjetër.

Ndeshja mes Liepaja-s dhe Gjilanit zhvillohet me fillim nga ora 16:00 me kohën tonë lokale.

Ndërkohë, skuadra tjetër kosovare, Llapi, do ta ketë shumë më të vështirë kualifikimin, pasi duhet ta përmbysë disavantazhin prej dy golave të krijuar në ndeshjen e parë ndaj Buducnost-it të Malit të Zi.

Skuadra e Tahir Batatinës do ta kërkojë kualifikimin ndaj malazezëve me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku pritet të jenë mbi 10 mijë tifozë të pranishëm në përkrahje të tyre.

Ndërkohë, nga Shqipëria në këtë raund do të luajnë dy ekipe. Partizani dhe Laçi pritet që t’i kalojnë kundërshtarët e tyre.

Partizani në ndeshjen e parë në udhëtim te skuadra gjeorgjiane, Saburtalo Tbilisi, doli me rezultat pozitiv 0:1, andaj sonte me fillim nga ora 20:00, me gjasë pritet që të kalojë në raundin tjetër.

Kalimi në raundin tjetër është shumë i mundur edhe për skuadrën e Laçit, që zbret në fushë në ora 21:00.

Kurbinasit nuk patën rezultat shumë pozitiv në ndeshjen e parë të luajtur në shtëpi ndaj Iskra-s së Malit e zi (0:0), por duke parë dominimin në atë ndeshje, me shumë gjasë do të vazhdojnë tutje.

Në anën tjetër, me rezultat shumë pozitiv është edhe ekipi tjetër shqiptar, Shkëndija e Tetovës.

Kuqezinjtë kanë fituar në takimin e parë të zhvilluar në Tetovë me rezultat 2:0 ndaj armenëve të Ararat Yerevan, andaj sonte nuk pritet të kenë problem për të kaluar në raundin tjetër të Ligës së Konferencës.

Ndeshja mes Ararat Yerevan dhe Shkëndijës do të zhvillohet në ora 17:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore