Kosova

Liderët e NATO-s s’e përmendin dialogun Kosovë-Serbi në deklaratën e Samitit të Uashingtonit


Ilustrim

Në samitin historik të NATO-s në Uashington të Shteteve të Bashkuara (SHBA), ku u shënua 75-vjetori i aleancës, liderët e NATO-s riafirmuan vazhdimin e përkushtimit ndaj sigurisë së Kosovës, posaçërisht në dritën e realiteteve të reja gjeopolitike pas agresionit të paprovokuar rus.

Megjithatë, ndryshe nga deklarata e vitit 2023 në Vilnius të Lituanisë, kësaj here, në pjesën kushtuar Ballkanit Perëndimor, nuk përmendet askund “mbështetja” për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Në deklaratën e NATO-s, në kontekstin e rënduar të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera thuhet: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe forcën e udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR)”.

Sot, siguria në Kosovë mbikëqyret nga KFOR-i. Por, pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s, shtatorin e vitit të kaluar ndodhi një sulm i armatosur nga një grup i paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për stabilitetin rajonal.

Pas shpërthimit të dhunës vitin e kaluar në veriun e trazuar të vendit, aleatët dislokuan rreth 1 mijë forca rezervë – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit. Gjithashtu, misioni i KFOR-it trefishoi numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare.

“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik për të mbështetur paqen, sigurinë dhe luftimin e ndikimit malinj, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë”.

Megjithatë, ndryshe nga deklarata e një viti më parë, në deklaratën e sivjetme nuk përmendet askund “nevoja urgjente” për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beograd. Gjithashtu, nuk përmendet as “forcimi i marrëdhënieve” ndërmjet NATO-s dhe Serbisë “në dobi të të gjithë rajonit”.

“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhej në deklaratën e liderëve të NATO-s në samitin e vitit të kaluar në Vilnius.

Për shkak se tensionet Kosovë-Serbi janë bërë pjesë e një problemi më të madh të paqëndrueshmërisë rajonale, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, mund të shpërthejnë konfliktet e ngrira, sidomos në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, pritej që aleatët t’i bënin thirrje liderëve në Kosovë e Serbi që t’i normalizojnë raportet mes tyre dhe t’i zbusin tensionet.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, palët ende nuk kanë filluar zbatimin e së njëjtës.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve rajonalë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë rajonin e Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore