Libra

Libri i Brigitte Reimann përkthehet në anglisht 50 vjet pas vdekjes së saj


50 vjet pas vdekjes së Brigitte Reimann, një zë kult i letërsisë feministe gjermano-lindore, një nga romanet e saj përkthehet për herë të parë në anglisht.

Vepra “Siblings” e vitit 1963 pritet të botohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shkurt, për të përkuar me përvjetorin e vdekjes së saj të parakohshme.

Si një klasik novator i letërsisë, ajo e shkroi në fund të të 20-ave pas ndërtimit të Murit të Berlinit. Atje tregohet historia e besimit të zjarrtë të një gruaje të re në përpjekjet e brezit të saj të pasluftës për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme dhe të bukur të bazuar në idealet e socializmit.

Po ashtu tregohet edhe për ndikimin zemërthyes që aderimi i saj në projekt, në kundërshtim me pikëpamjet e vëllezërve të saj, ka në unitetin e familjes së saj.

“Zëri i saj është me të vërtetë modern dhe i guximshëm, ngazëllimi i saj është infektues”, ka thënë Lucy Jones, e cila ka përkthyer romanin prej 129 faqesh.

“Ajo kap atë gjendje apokaliptike që po përjetojmë tani, kështu që mendoj se është një roman shumë i përshtatshëm për kohën tonë”, ka theksuar ajo.

Përkthyesja ka kaluar vite duke u përpjekur të siguronte interesin e një botuesi për një version në gjuhën angleze të romanit.

“Kishim menduar për Reimann për një kohë të gjatë pasi Lucy e solli në vëmendjen tonë. Ajo është një shkrimtare emocionuese, por çuditërisht e anashkaluar, por për të cilën ekziston një ndjenjë zbulimi”, ka thënë Ka Bradley, kryeredaktore në Penguin Classics.

“Ajo e prezanton Gjermaninë Lindore në mënyrë shumë bujare…ajo e pa botën jo si një vend të ftohtë dhe të errët të kufizuar në histori siç e shohin shumica prej nesh, dhe mendoj se ajo ka aftësinë për të arritur një shumëllojshmëri të gjerë lexuesish”, ka shtuar ajo.

Reimann, e cila është krahasuar me shkrimtarët Carson McCullers dhe Edna O’Brien dhe që numëronte Anna Seghers dhe Ernest Hemingway ndër heronjtë e saj letrarë, u bë një figurë kulti me një reputacion të madh.

Romani i saj më i famshëm, “Franziska Linkerhand”, të cilin Jones e përshkruan si “historia gjermane e ushqyer përmes formës së një letre dashurie”, ishte i paplotë kur ajo vdiq.

Por ai u kthye në një bestseller kur u botua në vitin 1974. Shkruar kryesisht si një rrjedhë e vetëdijes, ai fokusohet në një arkitekte të re, ambicioze, e cila vendos të realizojë ëndrrën e saj për të krijuar ndërtime urbane humane në një qytet të ri, pavarësisht pengesave të vendosura nga kolegët.

Librat e saj u censuruan shumë nga autoritetet e Gjermanisë Lindore. Vetëm gjatë 25 viteve të fundit versionet origjinale, të pacensuruara janë vënë në dispozicion të publikut të gjerë në botimet e reja të punës së saj, një fenomen që ka ndihmuar në krijimin e brezave të rinj të admiruesve.

Përshkrimet jashtëzakonisht të hapura të librave të saj të jetës së përditshme, të treguara përmes këndvështrimit të veçantë të një gruaje, çuan në atë që ata të luanin një rol të rëndësishëm në vend, veçanërisht në vitet 1970 dhe 1980.

Në epokën postkomuniste, librat e saj kanë ofruar gjithashtu një pasqyrë për brezat e rinj të etur për të kuptuar qëndrimet e nënave të tyre ndaj shtetit socialist në të cilin u rritën.

Ndërkohë, zbulimi dhe rizbulimi i Reimann vazhdon.

Në tetor, romani debutues i pabotuar i Reimann-it, “Die Denunziantin”, të cilin ajo filloi ta shkruante në moshën 19-vjeçare dhe që ishte aq i censuruar sa Reimann kishte hequr dorë prej tij, u botua për herë të parë, pasi u zbulua në arkivin Reimann në Neubrandenburg nga redaktorja Kristina Stella.

Për gazetaren dhe autoren Carolin Würfel, e cila ishte tre vjeçe kur Muri i Berlinit ra, Reimann ka ofruar një shans për të “parë se nga vinin gratë në familjen” e saj.

“Reimann ishte pjesë e një brezi në të cilin gratë gëzonin paga të barabarta, ato kishin të drejtë të bënin një abort, të divorcoheshin…ajo mund të jetonte vetëm, të pinte duhan, të dëgjonte jazz, të shkurtonte flokët, ndërsa gratë perëndimore shpesh frenoheshin, nuk mund të gjenin punë ose të votonin pa lejen e burrave të tyre”.

Dhe sipas saj, kjo ishte arsyeja pse veprat e Reimann kishin ndjekës të konsiderueshëm edhe në perëndim.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore