Kosova

Liberalizimi i vizave s’i ndaloi kërkesat për azil, pamja reale e Kosovës u tregua përmes raportit të EUAA-së


Foto: Albanian Post.

Liberalizimi i vizave për Kosovën s’i ndaloi kërkesat e qytetarëve për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo u konfirmua edhe nga raporti i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), ku e radhiti Kosovën si një ndër vendet e para që kanë këtë kërkesë, krahasuar edhe me vendet tjera të Ballkani Perëndimor.

Arsyet e largimit nga Kosova mbesin të njëjta: mungesa e punës, pagat e vogla atëherë kur ka punë, por edhe cilësia e dobët në arsim, shëndetësi e fusha të tjera dhe shto çmimet e larta dhe ekonomia që nuk zhvillohet.

Ish ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, gjatë një bisede për Albanian Post thotë se këto pasoja kanë qenë të pritura, pasi pushteti s’po merret me shqetësimet që kanë qytetarët.

Sipas tij, “ky raport tregoi për pamjen reale të Kosovës”.

“Ne i kemi paralajmëruar vazhdimisht këto pasoja, sepse për aq kohë sa Qeveria s’merret me shqetësimet thelbësore të qytetarëve kjo situatë do të vazhdojë. Vetëm një vend që ka probleme me stabilitetin politik dhe sigurinë do të kishte marrë këso vlerësimesh”.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti

“Papunësia e lartë, paga të vogla dhe mungesa e mundësive ekonomike po i detyrojnë qytetarët të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit. Është zhgënjyese të shohim një trend të tillë e ndërkohë nuk shohim asnjë plan e asnjë veprim të Qeverisë për investime e zhvillim ekonomik”, deklaron ai për Albanian Post.

“Rënia e numrit të popullsisë, tregon për emigrimin e lartë në dekadën e fundit”

Lirim Krasniqi nga organizata Gemin, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post jep një shpjegim interesant për rritjen e numrit të azilkërkuesve.

Ndryshe nga sa është menduar, ai thotë se “me rritjen e numrit të personave që udhëtojnë lirshëm nga Kosova”, nuk zvogëlohet, por “rritet edhe numri i atyre që kërkojnë azil”.

Ai tregon se tashmë të gjitha shkaqet përse ky trend është duke vazhduar janë të ditura.

“Arsyet e emigrimit janë të njohura, pasi trendi ka qenë vazhdimisht në rritje gjatë 10 viteve të fundi”.

Problem, sipas Krasniqit, vazhdon të jetë edhe mosinformimi i qytetarëve nga Kosova për mundësitë që ofrohen në shtetet e Bashkimit Evropian, duke nisur nga puna e nevojat e tjera esenciale.

Foto: Albanian Post.

“Gjithsesi, kërkesat e larta për azil tregojnë se, përveç se personat që largohen nuk duan të kthehen, ata (sidomos të rinjtë) janë edhe të painformuar mbi mundësitë që ofrohen në Evropë, para se të marrin një vendim për emigrim. Shumica e kërkesave për azil (bazuar në përvojën e Shqipërisë) refuzohen si të pabaza”.

Ndërsa, bazuar në shifrat e raportit vjetor të Zyrës Evropiane të Azilantëve (EASO), për periudhën 2010-2020 nga shteti i Kosovës kishin kërkuar azil në Bashkimin Evropian (BE) 200 mijë persona.

Edhe këto shifra, në raport me popullsinë aktuale të Kosovës, e bënin këtë vend të parin në rajon sa i përket aplikimit për kërkesën për azil në periudhën 2010 – 2020.

Franca është shteti i Bashkimit Evropian (BE) ku kosovarët kishin kërkuar më së shumti azil për vitin 2020.

Ajo pasohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen si Gjermania, Italia, Suedia dhe Zvicra.

Lufta kishte prodhuar largimin më të madh të shqiptarëve nga Kosova. Atëherë më shumë se opsion ishte detyrim.

Paslufta ktheu njerëzit, por jo edhe dëshirën për të qëndruar.

Problemet e shumta i panë kosovarët duke provuar alternativa nga më të ndryshmet për të lënë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore