Lajme

Libani po përballet me shpërthimin vdekjeprurës të kolerës


Libani ka paralajmëruar për një shpërthim vdekjeprurës kolere që po “përhapet me shpejtësi”.

Shpërthimi në vendin e shkatërruar ekonomikisht, i cili ka lënë të paktën pesë të vdekur, është i pari që nga viti 1993.

Zyrtarët e atjeshëm të shëndetësisë kanë fajësuar luftërat financiare dhe politike të vendit, të cilat i kanë lënë qytetarët me infrastrukturë të shkatërruar sanitare.

“Epidemia po përhapet me shpejtësi në Liban”, ka treguar ministri në detyrë i Shëndetit Publik, Firass Abiad.

Libani, prej 6 tetorit, ka regjistruar 169 raste të kolerës dhe thuajse gjysmën e tyre në dy ditët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Sakaq, kriza vjen pas tre vitesh vështirësish ekonomike dhe pamundësish për të kontrolluar kufijtë porozë me Sirinë fqinje të shkatërruar nga lufta.

Në Siri, shpërthimi i kolerës po përhapet pas më shumë se një dekade lufte.

Rasti i parë, sipas Abiad, është regjistruar më 5 tetor në rajonin rural të Libanit verior të Akkar-it dhe se pacienti, një shtetas sirian, po merrte trajtim dhe ishte në gjendje të qëndrueshme.

Teksa “shumica dërrmuese” e rasteve ishin refugjatë sirianë, zyrtarët e shëndetësisë kanë filluar “të vërejnë një rritje të rasteve në mesin e libanezëve”.

Libani pret më shumë se një milion refugjatë sirianë, shumë prej tyre të goditur nga varfëria dhe që jetojnë në kampe të tejmbushura që nuk kanë ujë të rrjedhshëm ose sisteme kanalizimesh.

“Mungesa e kanalizimeve i bën kampet e mbushura me njerëz zona me rrezik të lartë”, ka thënë Zeina Khodr e “Al Jazeera”.

Sipas saj, rastet nuk kufizohen më në kampet në kufi me Sirinë, por janë përhapur në zonat e varfra ku uji i pijshëm është gjerësisht i ndotur dhe nganjëherë i përzier me ujërat e zeza.

Zakonisht, kolera përhapet nga ushqimi ose uji i kontaminuar dhe shkakton diarre dhe të vjella.

Po ashtu mund të përhapet në zonat e banuara që nuk kanë rrjetet e duhura të ujërave të zeza ose ujin e pijshëm nga rrjeti.

Uji i kontaminuar, sipas Abiad, përdorej për bujqësi duke përhapur sëmundjen në fruta dhe perime.

Ndërkohë, infrastruktura ujore e Libanit është e braktisur dhe sistemi i kujdesit shëndetësor është goditur rëndë nga një krizë financiare trevjeçare dhe nga shpërthimi i portit të Bejrutit në gusht 2020.

Ky i fundit shkatërroi infrastrukturën kritike mjekësore në kryeqytet.

Ministri ka thënë gjithashtu se, paçka ndihmës humanitare nga vendet donatore, sektori do të luftojë për të përballuar një shpërthim në shkallë të gjerë.

Besohet se lumi Eufrat është burimi i shpërthimit të parë të sëmundjes nga uji në Siri që nga viti 2009, por kolera që atëherë është përhapur në mbarë vendin.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore