Shqipëria

Lezha është qarku me shkallën më të lartë të papunësisë në rang vendi


Lezha është identifikuar si qarku me shkallën më të lartë të papunësisë në rang vendi me 22,6 për qind.

Ndërsa Gjirokastra, si qarku me shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës me 68,8 për qind, për popullsinë mbi 15 vjeç.

Kështu ka rezultuar nga gjetjet kryesore për secilin qark të vendit të Institutit të Statistikave (INSTAT).

Ndërkohë, qarku Shkodër është identifikuar si qarku me normën më të ulët të të pandehurve me 33,3 për dhjetë mijë banorë.

Kurse Kukësi, qarku me koeficientin më të madh të rritjes natyrore, katër lindje më shumë se vdekje për një mijë banorë.

Sipas rezultateve të INSTAT-it, një tjetër qark, ai i Beratit, është identifikuar si qarku i dytë me nivelin më të lartë për prodhimin e rrushit me 17 mijë tonë.

Elbasani, nga ana tjetër, ka rezultuar qarku i dytë nga sipërfaqja e mbjellë me bimë të arave, me 48.884 hektarë. Ndërsa Fieri, me numrin më të lartë të gjedhëve me 58 mijë krerë.

Po ashtu Korça është renditur si qarku me volumin më të madh të prodhimit të pemëve frutore me 89,7 mijë tonë.

Qarku Vlorë ka rezultuar nga të dhënat me shkallën më të lartë të të regjistruarve në arsimin e mesëm privat kundrejt të regjistruarve në arsimin e mesëm me 19,4 për qind.

Sakaq, kryeqyteti rezulton nga të dhënat me përqindjen më të ulët të mbetjeve të pamenaxhuara me 5.399 tonë, ndërsa Durrësi me numrin më të lartë të autoveturave për pasagjerë me 279, për një mijë banorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore