Sport

Lewandowski: Jam i lumtur për vendimin tim, Barça do të bëhet më e fortë


Robert Lewandowski ka konfirmuar edhe njëherë që ndihet i kënaqur me vendimin që mori për t’u transferuar te Barcelona.

Pavarësisht eliminimit nga Liga e Kampionëve, sulmuesi polak tha që ndihet shumë i lumtur në klubin katalanas.

Lewa, i cili është një nga lojtarët që do të pushojë në ndeshjen kundër Viktoria Plzen këtë të marte, është treguar i sinqertë në një intervistë në “La Vanguardia”.

“Unë jam në klubin që dua dhe kur ndihesh rehat dhe i lumtur, gjithçka është më e lehtë. Jam në ekipin ku kam ëndërruar të jem dhe jam krenar”, tha fillimisht ish-sulmuesi i Bayern-it.

“Jemi duke përparuar, nuk e prisja që në sezonin e parë të korrnim suksese, por është një proces që kërkon pak kohë dhe durim”, shtoi Lewandowski.

“Para se të vija këtu, isha i vetëdijshëm se sezoni i parë mund të ishte më i vështirë. Jemi në një proces rindërtimi që kërkon kohë”.

34-vjeçari më pas foli edhe për eliminimin e Barçës nga Liga e Kampionëve, derisa shtoi se ekipi i tij duhet ta lërë pas shpine këtë.

“Barcelona duhet të ishte mes 16 më të mirave. Duhet të përballesh me disa situata me më shumë inteligjencë, në futboll ndonjëherë duhet të dish të fitosh dhe jo të luash për të fituar, dhe kjo është ajo që na ka ndodhur. Por këto gjëra na bëjnë të jemi më të fortë në të ardhmen”, shoti polaku.

“Nuk mund të presësh që gjithçka të ndryshojë brenda një muaji. Duhet kohë dhe me siguri do të përmirësohemi, madje Barça do të jetë përsëri më e mira”, tha mes tjerash Robert Lewandowski.

Kujtojmë që 34-vjeçari është duke kaluar në formë shumë të mirë te Barcelona. Në 17 ndeshjet e para në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve, Lewa ka shënuar 18 gola dhe ka dhuruar katër asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore