Sport

Lewandowski dhe Mbappe me dyshime për organizimin e Kupës së Botës çdo dy vite


Sulmuesi francez Kylian Mbappe dhe polaku Robert Lewandowski kanë ngritur dyshimet e tyre mbi organizimin e Kupës së Botës çdo dy vite.

FIFA ka propozuar që kompeticioni më i rëndësishëm në futboll, Kupa e Botës, të organizohet një herë në dy vite, ndryshe nga një herë në katër vite që organizohet tani.

Ata besojnë se kjo do t’i sillte futbollit 3.3 bilionë më shumë të ardhura në një periudhë prej katër viteve.

“Kupa e Botës është Kupa e Botës”, tha Mbappe.

“Por”, vazhdoi sulmuesi i PSG-së, “ajo është speciale për arsye sepse është diçka që mbahet çdo katër vite”.

UEFA, Ligat e mëdha evropiane dhe CONMEBOL, qeveria e futbollit jugamerikan po ashtu e kanë kundërshtuar planin e FIFA-s.

Federata e Futbollit Afrikan, CAF – në anën tjetër, e ka dhënë aprovimin e saj.

“Është gjëja më e mirë, kompeticioni më i mirë në botë”, ka shtuar Mbappe.

“Nëse e organizon çdo dy vite, do të bëhet normale të luash një Kupë Bote – dhe unë them se kjo nuk është normale”.

“Kupa e Botës duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme”, shtoi ai.

“Ne luajmë 60 ndeshje në vit. Kemi Evropianin, Kupën e Botës dhe tani Ligën e Kombeve – shumë kompeticione. Ne jemi të lumtur që të luajmë, por kur është shumë, është shumë. Ne duhet të pushojmë, të relaksohemi”.

Në fund, ai shtoi se për t’iu ndjerë emocioni i vërtetë futbollit, atëherë “futbollistët duhet të pushojnë, të respektohet shëndeti i tyre”.

Sulmuesi i Bayern-it, po ashtu bashkohet me mendimin e Kylian.

“Nëse doni diçka speciale – atëherë duhet të kemi mundësinë që të pushojmë po ashtu”, u shpreh vendi i dytë në Topin e Artë.

“Nëse kemi një Kupë Botë çdo dy vite, atëherë edhe prishtmëritë do të ulen – është fizikisht dhe mentalisht e pamundur”, mbylli ai.

Përkundër këmbënguljes së madhe nga FIFA, ankesat e shumta e bëjnë pothuajse të pamundur që kjo ide të shndërrohet në realitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore