Kosova

Levits: E mirëpresim anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare


Presidenti i Letonisë, Egils Levits.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, në konferencë për media ka thënë se shteti i tij i kupton aspiratat e Kosovës si shtet demokratik.

Kjo pasi edhe ai vetë e konsideron si shumë të rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

“Mendoj që është e rëndësishme që të anëtarësohet Kosova në organizatat ndërkombëtare e forume, do të përmendja këtu Këshillin e Evropës. Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropës. Sa i përket BE-së Letonia është duke e mbështetur Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave”.

“Tani nuk ka pengesa të arsyeshme që të mos jepet liberalizimi i vizave. Ne kemi vërejtur që viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm në këtë drejtim luftimi i korrupsionit”.

Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se vëren që ka probleme, por shprehu besimin se bisedimet do të vazhdojnë.

“Po e vërej që ekzistojnë disa probleme sa i përket dialogut me Serbinë, shpresoj që këto bisedime do të përparojnë”.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas tij, as Letonia dhe as Kosova nuk kanë ndonjë armik.

Ai deklaroi se situata në Evropa ka pasur ndryshime pas pushtimit rus.

“Në qoftë se shohim situatën e tanishme në Evropë mund të themi se kemi një ndryshim në muajt e fundit pas agresionit rus në Ukrainë. Arkitektura e sigurisë së Evropës duket të ripërtërihet dhe të bazohet në realitet. Realiteti është se duhet të ballafaqohemi me një Rusi agresive. Tani është koha e duhur për ta bërë këtë hap të mirë varet nga NATO-ja”, ka thënë ai.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, është pritur të premten e 22 prillit me nderimet më të larta shtetërore, nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Levits, në mesditë do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore