Kosova

Letra e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Haradinaj: Po inkurajohet nga gabimet e Kurtit


Ramush Haradinaj

Sipas Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, letra që Serbia e dërgoi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku kërkoi që Kosovës mos t’i avancohet statusi, ka ardhur për shkak të “gabimeve” të Kosovës, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës, para hyrjes në seancën parlamentare, një ditë pasi që Serbia iu drejtua me letër Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Serbia është e inkurajuar prej gabimeve të Kosovës, prej gabimeve të Kurtit dhe ajo shkon në një hap më tutje, pra më shumë minuse t’i quaj kështu sepse një letër e tillë sepse Serbia me siguri ka përgatit, nuk sjellë letra e para, pra me siguri ata gjatë gjithë kohës kanë dërguar raporte gjoja se Kosova vepron kundër të drejtave të komunitetit serb apo edhe zhvillimeve tjera, pra e kemi paralajmëruar me kohë thellimin e humbjeve për Kosovën”, tha Haradinaj.

Sa i përket mundësisë së dështimit të këtij procesi siç ndodhi me Këshillin e Evropës, ish-kryeministri ka potencuar se Serbia në këtë rast do t’i shfrytëzojë vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës që janë anëtare të NATO-s.

“Ne nuk kemi çështje tani për tu diskutuar sepse nuk ka një proces kontraktual, por p.sh ka vende skeptike dhe jo njohëse do ta shfrytëzojnë edhe pozicionin e Serbisë për shkak se ju e dini se për anëtarësim në NATO ka rendësi marrëdhëniet nder fqinjësore sikurse për marrëveshje tjera”, pohon Haradinaj.

Serbia çon letër në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kërkon që Kosovës mos t’i avancohet statusi

Ndryshe, Kosova zyrtarisht është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku synon që të bëhet anëtare e asociuar e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Në seancat plenare, anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore