Lajme

Letonia dhuron 165 mijë doza vaksinash për 5 shtete, mes tyre Shqipëria


Letonia do të dhurojë 165 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca COVID-19 në pesë shtete, Gjeorgji, Moldavi, Mal të Zi, Kenia dhe Shqipëri. Këtë e njoftoi përmes një deklarate, ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics.

“Ne mund ta fitojmë luftën kundër kësaj pandemie së bashku dhe në solidaritet të plotë me njëri-tjetrin”, njoftoi ministri në Twitter.

Ministri i Shëndetësisë, Daniels Pavluts shpjegoi në një konferencë shtypi se në depot e Letonisë, kishte mjaftueshëm vaksina kundër COVID-19, kështu që u vendos që të dhurohen vaksinat AstraZeneca në këto pesë vende.

Parregullsitë me dorëzimin e vaksinave AstraZeneca në Letoni kanë shkaktuar një situatë, ku dozat e vaksinave përdoren vetëm për inokulimin e dytë dhe personat që vaksinohen për herë të parë zakonisht marrin një dozë të një vaksine tjetër COVID-19.

Fushata e vaksinimit

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta.

“Që nga fillimi i fushatës Shqipëria buzëqesh janë kryer 1 milionë e 5 mijë e 663 vaksinime”.

Mbi 300 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 900 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore