Shije

Lejleku i rrallë vjen në Shqipëri


Shqipëria është një vend i cili ofron pasuri të shumta natyrore dhe ekologjike. Pranvera sjell jo vetëm lule por edhe shpend të cilët gjejnë habitatin perfekt në vendin tonë.

Shoqëria Ornitologjike Shqiptare, me ekspertët e saj të cilët janë gjithmonë në terren, na sjellin lajme të mira përsa i përket shepndëve të ndryshëm që shtegtojnë në Shqipëri, ashtu siç është edhe rasti i Lejlekut (𝘊𝘪𝘤𝘰𝘯𝘪𝘢 𝘤𝘪𝘤𝘰𝘯𝘪𝘢).

Lejleku konsiderohet një një nga specie në rrezik në Shqipëri, sipas ekspertëve ky shpend numëron pak fole në vendin tonë dhe për këtë gjë arsyet janë të shumta. Në Shqipëri prej vitesh shtyllat elektrike kanë shërbyer si vend folezimi për lejlekët. Ekspertët theksojnë se “Përveç rënies së numrit të foleve për shkak të persekutimit dhe humbjes së habitateve të ushqimit, duket se shumë lejlekë nuk i mbijetojnë shtegtimit apo dimërimit, e thënë ndryshe fluturimit të tyre për mbijetesë e për pasojë nuk kthehen më në foletë e tyre në Shqipëri.  Lejlekët, sikundër shumë shpend të tjerë shtegtarë, përballen gjatë rrugëtimit shtegtues me plot rreziqe ku dallohet brakonazhi apo vrasja e qëllimshme, përplasja me infrastrukturën energjitike, elektroshoku etj.

Lejleku Stoik

Shoqëria thekson se prej nëntorit 2020, ndryshe nga lejlekët e tjerë që zgjodhën të shtegtonin për të kaluar dimrin në Afrikë, Lejleku (𝘊𝘪𝘤𝘰𝘯𝘪𝘢 𝘤𝘪𝘤𝘰𝘯𝘪𝘢), folezues në Fier, zgjodhi ti qëndrojë besnik folesë së instaluar dy vite më parë nga AOS dhe të kalojë dimrin në klimën e butë të Myzeqesë. Gjatë kësaj periudhe ky shpend ka qendruar besnik në trevat tona duke lëvizur nëpër ligatina bregdetare, fusha të punuara, landfillin e Fierit, liqene, rezervuare për tu ushqyer. Por ditët e fundit theksojnë ekspertët sjellja e tij ka ndryshuar, kalon shumë më tepër kohë në fole duke u kujdesur për ta rindërtuar, ndërsa pjesën tjetër ai pret. Pret lejlekun femër, e cila mesa duket ka rrugë të gjatë për të bërë pasi vjen nga Afrika.

Por, mesa duket pritjes i erdhi fundi, ekspertët e Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare theksojnë se çifti u bashkua. E sigurisht që me këtë lajm pritshmëritë janë të mëdha, pasi vjet siç theksojnë ekspertët ky çift lejlekësh na lumturoi me rritjen e pesë të vegjëlve të shëndetshëm. Ky lajm është akoma më i bukur nëse marrim parasysh vështirësitë dhe rreziqet e shumta, me të cilat mund të jetë hasur gjatë rrugës së tij të shtegtimit sikurse vrasja, elektroshoku, përplasja me linjat elektrike, etj.

Dhe me këtë lajm le të shpresojmë që lejlekë të tjerë do të kthehen shëndoshë e mirë në vendet e tyre të folezimit në Shqipëri dhe në Europë.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore