Lejimi i mallrave serbe në këmbim të heqjes së masave të BE-së, thotë Rashiç

Nenad Rashiç

Dreni Himbeqa
11.08.2023 14:42
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës në ditët e javët e ardhshme do të duhej të anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi – vendim të cilën nuk e ka publikuar asnjëherë të paktën zyrtarisht – në këmbim të heqjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura Kosovës pas mos-gatishmërisë së Qeverisë për ta de-përshkallëzuar situatën në Veri të vendit.

Kështu të paktën ka thënë ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, i cili ka shpjeguar se vendimin për ndalimin e importit të mallrave serbe ia kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përveç tij edhe “disa diplomatë ndërkombëtarë”.

Sipas Rashiqit përgjigja e Kurtit ka qenë se ai, si kryeministër dëshiron shtensionim e plotë, por që “BE-ja duhet të tregojë njëfarë mirëkuptimi”.

“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë [heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës], nuk mund t’ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tonë”, ka thënë Rashiç për Radio Evropën e Lirë.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur.

Megjithatë Albanian Post më 15 qershor nga burime brenda Qeverisë së Kosovës kishte kuptuar se vendimi për bllokimin e mallrave serbe nga ekzekutivi nuk është bërë i formës së prerë asnjëherë.

Burime të Albanian Post kishin thënë se vendimi u kumtua gojarisht, pas lajmit se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë brenda territorit të Kosovës, por kur erdhi koha që të shkruhej vendimi, të protokollohej, të publikohej në faqen zyrtare të qeverisë dhe t’i dorëzohej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u procedua tutje.

“Me gjasë pati ndërhyrje nga jashtë, sepse ishim gati dhe prisnim që vendimin t’ia dorëzonim Ministrisë, por nuk u bë”, ka thënë burimi për Albanian Post.

Qeveria është tërhequr nga vendimi për bllokimin e mallrave serbe – “me gjasë pati ndërhyrje”

Ndryshe Rashiç, ndër të tjera ka vlerësuar se procesi i de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës po shkon në drejtimin e duhur dhe se në këtë moment “të gjithë duhet të jenë të durueshëm, tolerantë dhe të arsyeshëm”.

Ai ka theksuar se anulimi i vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia do të bëhet me qëllim të shtensionimit të mëtutjeshëm, por rithekson se Kosova “duhet të marrë diçka”.

“Ju e dini si është në politikë, ju jepni diçka, ne japim diçka. Këto janë interesa strategjike që i lejojnë të dyja palët të fitojnë dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sepse vetë diplomacia do të thotë të ‘tolerosh’ palën tjetër për të marrë vendime të arsyeshme”, thekson Rashiç.

Të fundit

Aktuale