Shqipëria

Leja për betimin si kryebashkiak, zbardhet kërkesa e Fredi Belerit për Gjykatën Kushtetuese


Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar përshpejtimin e vendimit nga ana e kësaj gjykate në lidhje me betimin e tij.

“Ju drejtohem Ju që jeni gardianët e Kushtetutës, që të dëgjoni lutjen time dhe të banorëve të Himarës për caktimin e një date sa më të shpejtë të gjykimit të kërkesës time, duke parë që ka kaluar kohë e gjatë prej 1 viti që pushteti qendror ka cenuar të drejtën e zgjedhjeve në Himarë”, thuhet midis të tjerash në kërkesë.

Kërkesa e Belerit vjen pak ditë, pasi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj tha se çështja ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, është duke u përgatitur, por ende nuk është gati.

Ajo shtoi se nuk ka asnjë kërkesë për përshpejtim të procesit në lidhje me masën e sigurisë.

“Në datën 28 shtator 2023 GJK ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur kalimin e saj në seancë plenare. S’ka ardhur në proces, është duke u përgatitur, janë duke u marrë materialet. Në momentin që një çështje bëhet gati dhe relatori është gati kërkon datën dhe vendoset. Nuk na rezulton të kemi kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces”.

Kujtojmë se Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.

Ai nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.

Kryebashkiaku – i cili ndodhet në burg – akuzohet për blerje votash për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Ai u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve vendore dhe që prej atëherë vijon të qëndrojë në paraburgim.

Ndërkaq, vetëm disa javë më parë Gjykata ka vendosur të mos e lejojë kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë që të betohet në krye të institucionit administrativ bregdetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore