Shqipëria

“Lehjet” përpara hyrjes në BE i solli opozita e Kosovës, tregon Gjergj Luca


Një banderolë aspak e zakontë e kryeministrit Edi Rama është shfaqur papritur në vendin ku ai mblodhi deputetët socialistë, në një takim në fillim të sesionit të ri parlamentar, për të diskutuar një sërë çështjesh si antikorrupsioni, apo dezinformimi.

Në këtë banderolë, kryeministri shqiptar shfaqet me pantallona të zeza, një këmishë të bardhë dhe duke mbajtur të hapur një libër në dorë. Teksa, rreth e rrotull tij, një tablo thuajse apokaliptike, me qenë të egër duke lehur në drejtim të Ramës, i cili në shëmbëlltyrën e fytyrës shfaqet i qetë.

Kjo tablo në fakt i kuriozoi jo pak gazetarët e pranishëm dhe rrjetin, pasi pamjet u shpërndanë gjerësisht në media sociale. Të gjithë donin të dinin se nga ka ardhur kjo tablo, ku shkruhej ndër të tjera edhe “Lehjet e fundit para se të hyjmë në Europë”.

I ka shpjeguar të gjitha biznesmeni i njohur Gjergj Luca, pasi në një prej ambienteve të biznesit të tij, po mbahet edhe mbledhja e kreut të Qeverisë.

Sipas Lucës, i cili njihet për “bëmat” e tij provokuese shpesh herë në publik, me karikaturat e figurave politike, ai vetë nuk ka asnjë gisht në këtë “vepër”.

Përkundrazi, ka ardhur e gjitha nga Kosova dhe siç i është thënë, e kanë vendosur aty disa deputetë të opozitës së Kosovës, pa specifikuar emra.

“Banderolën nuk e vendosa unë. Por shikoje, ai është më se i lexueshëm. Mbrëmë erdhi një grup kosovarësh këtu, më thanë jemi deputetë edhe gazetarë nga Kosova. Mu lutën që ta vendos për fundjavë këtë baner. Nuk e di se cilët deputetë ishin, unë njoha vetëm Milaim Zekën, që më tha se këta janë të opozitës”, ka thënë Luca për mediat, pas interesimit.

Më pas, ai e ka përforcuar faktin se nuk njeh asnjë politikan në Kosovë, përveç Hashim Thaçit, ndaj nuk ka mundur t’i identifikoje ata, përtej gazetarit Zeka.

Misteri ndërkaq vijon se kush realisht e ka vendosur atë banderolë të madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore