Shqipëria

Lea Ypi, Mendimtarja e Vitit 2023


Ajo është kthyer në përfaqësuesen më të zëshme të emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Një mburojë për ta me fuqinë e fjalës.

Shkruan rregullisht kolumne për mediat më prestigjioze në botë – kryesisht The Guardian – dhe i jep horizontit të vakët të mendimit të varfër postmodern një dimension, i cili ngjiz në vetvete një teori post-psiko-komuniste, e cila gdhendet në nënvetëdijen e demokracive të sotme, që më shumë se kurrë po kthehen në sovraniste.

“Sistemi i emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar nuk gjen kriminelë – i krijon ata. Ai projekton qëllimin kriminal shumë përpara se të ndodhë ndonjë akt kriminal”, ka thënë ajo, duke iu kundërvënë retorikës së Suella Braverman.

Emigrantes kundër emigrantëve, durrsakja Ypi nuk i është përgjigjur kurrë me vrazhdësinë apo ashpërsinë e opinionit publik.

Ajo është profesoreshë në London School of Economics dhe e ka të qartë se ndaj një Sekretareje të Brendshme, nuk vlejnë hakërrimet e jashtme…duhet të depërtosh.

Ajo këtë bën në fakt. I zbërthen mendjet njerëzore, i përbrendëson ato çfarë sheh me vlerë dhe më tej i pasqyron stetikisht bukur në shkronja të ngarkuara pak emocionalisht dhe shumë racionalisht.

Mendimi i saj nuk është i luhatshëm, apo i ndikueshëm. Ai është i Lirë, si vetë Lea, bijën për të cilën Shqipëria nuk e dinte se kishte nevojë, derisa ia kuptoi mprehtësinë filarmonike të fjalëve, të cilat i përdor si të ishin një kompozim i Mozartit.

Lea Ypi, filozofja dhe teoricienia, mendon se emigrantët ekonomikë duhet të shihen si refugjatë apo azilkërkues politikë.

Për Ypin, mungesa e mundësive të punësimit që i shtyn ata të largohen nga vendet e tyre janë thuajse gjithmonë rezultat i shtypjes dhe shfrytëzimit historik.

Por, përpos angazhimit publik, ajo ka edhe një strehëz të sajën, në të cilën gjen qetësinë e brendshme. Shkrimin, letërsinë.

“Të Lirë” në fakt, nuk mund të vinte në një kohë më të mire jo për Shqipërinë, por për botën mbarë.

Dekadat e mundimshe diktatoriale të një shteti të vogël ballkanik nuk janë marrë ndonjëherë seriozisht nga të huajt. Kësisoj, nuk mund të shiheshin si precedent me një fuqi kinetike relevante ndryshuese.

Vetëm liria e fjalëve të Ypit, mundi gjatë 2023-shit të provokonte në mendjet e kontinentit të vjetër një reaksion befasues vlerësimesh nga më të larmishmet.

Duke kuptuar botën e Leas së vogël, të shkruar nga profesoreshë Ypi, kontinentalët e vjetër përvetësuan aftësinë për të kuptuar Shqipërinë dhe shqiptarët e për t’i dhënë një shans atyre.

“Tani që askush nuk na pengonte të emigronim, nuk ishim më të mirëpritur në anën tjetër. E vetmja gjë që kishte ndryshuar ishte ngjyra e uniformave të policisë. Ne rrezikuam të arrestoheshim jo në emër të qeverisë sonë, por në emër të shteteve të tjera, po atyre qeverive që na kishin kërkuar të çliroheshim”, shkruan ajo në një pasazh.

Shqipëria e kishte rrëzuar bustin diktatorial, por Evropa, Murin e Berlinit e kishte shembur veç për veten.

I njëjti mendim hermetik vijon të mbetet edhe sot në shumë pjesë dhe mendimi duhet çliruar prej telave të paprekshëm me gjemba.

Ypi nuk i fut aty duart, i ruan ato dhe e ndjen rrezikun, por veprimin e shtrin duke reflektuar urat lidhëse të kulturave që janë rrënjësisht të ndryshme, por kurrsesi jo harmonike.

Sa shqiptarë këtë ndjesi, mund ta kenë pasur në skutat e kujtesës së tyre, pa e mjeshtëruar dot plluskimin e tyre në sipërfaqe?

Këtë e ka bërë medimtarja Ypi, kujtesa e të cilës nuk është mekanike, por e vullnetshme dhe e çlirët.

Ajo tregon se i pëlqen të ulet me studentët e të bisedojë, t’i marrë mendime dhe të përcaktojë rrjedhën e leksioneve në bazë të mbresave që i lënë fjalët e tyre fluturake dhe të pamatura.

Ajo ndihet e lirë të pranojë se një student i saj, është përcaktues për mendimin e saj, për filozofinë e saj të të jetuarit, për atë çfarë përbën Lean.

Mendimtarja e Lirisë

Lea Ypi ka shkruar përpara, kjo nuk është hera e parë!

Autorja 44-vjeçare shqiptar, profesorshë e Teorisë Politike, thjesht ka shpërthyer në rrëfimin ndërkombëtar me “Të Lirë”, një vepër që bashkon kujtesën dhe reflektimin dhe që shfajëson modernitetin kantian në kohë të errëta.

Ajo e ka bërë këtë një vit para treqind-vjetorit të lindjes së Kantit, por në vend që të shkruajë një traktat mbi filozofinë, Ypi zgjedh kujtesën narrative, për të na ftuar të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh i lirë, nga zëri i vajzës që ishte.

Kurioziteti dhe guximi i fëmijërisë e lejojnë të bëjë pyetjet e nevojshme për botën ku banon, por “Të Lirë” nuk është një vepër melankolike, është një thirrje për të tashmen, në këtë kontekst të ri të barbarizimit ndërkombëtar që do të kërkonte një angazhim të vendosur për paqen e përhershme të Kantit.

Kur errësohet, busulla është shpresa jonë dhe Ypi vjen të na thotë diçka të tillë.

A nuk është moderniteti, dëshira që bota të jetë më e mirë?

Për Ypin, shpresa është një kundërhelm ndaj nihilizmit tonë, pasi “ajo nuk përpiqet të garantojë rezultatin e saktë, por përkundrazi të ruajë parimin e saktë: atë mbi të cilin një botë morale ka kuptim”.

Pra, “Të Lirë” përmban një premtim të vlefshëm lirie, pikërisht kur politika e banalizon për ta vënë në shërbim të ideologjisë.

Na fton të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh i lirë, duke na treguar se si autokracitë e instrumentalizojnë lirinë, por edhe demokracitë, duke na alarmuar për paternalizmin tonë kur interpretojmë histori që ne i perceptojmë si të largëta.

Kështu Ypi guxon të shohë fundin e historisë nga ana që nuk e pa Fukuyama, nga ajo Evropë që mori mësime të kota demokracie kur ra komunizmi dhe shpresat e së cilës nuk u kënaqën.

Dhe pikërisht ai bashkim i guximshëm mes tjetërsisë dhe universalizmit, nën forcën e zërit të saj narrativ, e bën Ypin një ndër mendjet më të mprehta në letraren e sotme.

Ajo është pa asnjë dyshim Mendimtarja e Vitit 2023 e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të kudondodhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore