Lajme

“Le Monde”: Rruga e Kosovës drejt BE’së – e pamundur pa marrëveshje me Serbinë


Albin Kurti dhe Mikulash Bek

E përditshmja franceze “Le Monde”, i ka kushtuar një artikull aplikimit zyrtar të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evriopian, ku theksohet se rruga drejt BE-së është më e komplikuar sesa ajo e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor për shkak të mosmarrëveshjeve me Serbinë.

Në Pragë, kryeministri Albin Kurti foli për një afat “nëntëvjeçar”, ndërsa serbët lokalë në pjesën veriore të Kosovës kanë ngritur barrikada duke tensionuar edhe më shumë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj siç kujton “Le Monde”, përderisa “Beogradi po mbështet ndezjen e konfliktit në veri të Kosovës”, kërkesa e Kosovës është “ligjërisht e pamundur”.

“Kjo situatë e bllokuar e bën ligjërisht të pamundur për Këshillin e BE-së regjistrimin e aplikacionit të Kosovës dhe përcjelljen e tij në Komisionin Evropian, hapi i parë ligjor në përpunimin e një aplikacioni për anëtarësim”.

Ndërkaq, gazeta theksin e vë edhe tek shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Qipro, Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – fakt ky që lidhet po ashtu me mosnjohjen e Kosovës nga Serbia.

“Ngurrimi i këtyre vendeve mund të shpjegohet me praninë e pakicave me aspirata separatiste në territorin e tyre dhe këto kryeqytete nuk kanë gjasa të ndryshojnë pozicionin e tyre derisa të normalizohen marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës.”

Gjithashtu, “Le Monde” potencon se para se Kosova të anëtarësohet në BE, “duhet të arrijë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe përballje me papunësinë endemike”.

Megjithatë, sipas vlerësimit të “Le Monde”, përtej vështirësive në rrugën drejt BE-së, një fitore diplomatike është arritur më 14 dhjetor.

“Kosova fitoi një fitore të madhe diplomatike, me zyrtarizimin e marrëveshjes ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Këshillit që do t’i lejojë kosovarët të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen nga viti 2024”.

Për 9 vjet Kosova anëtare e BE-së, përllogaritja e Kurtit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore