Kosova

Le Monde: Fatkeqësisht Macron nuk tha asgjë për autoritarin Aleksandër Vuçiç


Emmanuel Macron dhe Aleksander Vuçiç

Gazeta prestigjoze franceze “Le Monde” i ka kushtuar një editorial marrëveshjes në mes të Francës dhe Serbisë për blerjen e 13 avionëve luftarakë francezë “Rafale”, me vlerë rreth 3 miliardë euro.

Në këtë editorial të “Le Mondes”, flitet edhe për heshtjen që presidenti francez Emmanuel Macron, e bëri në raport me sistemin autoritar të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që e ka instaluar, por edhe për nxitjen e trazirave në Kosovë.

I titulluar “‘Rafale’ për t’u kujdesur në Serbi”, editoriali i “Le Monde” thekson fillimisht se askush nuk do ta kundërshtojë përfitimin për Francën dhe Evropën nga pajisja e forcave ajrore serbe me “Rafale”.

Por, potencohet se duhet shpresuar që të gjitha masat paraprake janë marrë për të mbrojtur teknologjinë dhe njohuritë në një vend ku prodhuesit kinezë dhe rusë të mbrojtjes ajrore do të jenë në gjendje të verifikojnë efektivitetin e tyre në kohën e lirë.

“Nëse suksesi komercial i këtij operacioni, që nga shitja e dymbëdhjetë modeleve të tjera tre vjet më parë në Kroaci, fqinji dhe rivali rajonal i Serbisë, është i pamohueshëm, dimensioni i tij diplomatik është shumë më i diskutueshëm. Që në fillim, projekti është konsideruar i ndjeshëm, me të drejtë, për shkak të lidhjeve të Serbisë me Rusinë e Vladimir Putinit”, thuhet në editorial.

Aty përmendet fakti se Serbia, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), nuk zbaton sanksionet e vendosura nga evropianët kundër Moskës pas pushtimit të Ukrainës, dhe se ndryshe nga linjat ajrore të BE-së, Air Serbia vazhdon të fluturojë drejt Moskës.

Përveç kësaj, theksohet se Beogradi ka porositur gjithashtu helikopterë luftarakë dhe bateri të mbrojtjes ajrore nga Rusia dhe Kina.

Aty jepet edhe versioni i pallatit presidencial francez për këtë marrëveshje.

“Elysee mbron pikërisht argumentin e kundërt për të justifikuar shitjen e ‘Rafale’, të cilën e sheh si një mjet për të “ankoruar Serbinë në Evropë” , në vend që ta linte të depërtonte në një zonë gri që Moska dhe Pekini e përdorën për të ushtruar ndikimin e tyre”.

Aty përmendet edhe deklarata e Macron-it, i cili tha se blerja e “Rafale”, për të zëvendësuar flotën serbe të avionëve të lodhur rusë Mig-29 shënon një “ndryshim strategjik, historik dhe të rëndësishëm”, duke u shprehur i bindur se “klubi Rafale”, brenda të cilit Serbia bashkohet me Greqinë dhe Kroacinë, përkundrazi mund të “marrë pjesë në paqen në Evropë” dhe të promovojë integrimin rajonal.

Megjithatë, në editorialin e prestigjiozes franceze nënvizohet se motori më i fuqishëm i integrimit të Serbisë në tufën evropiane nuk gjendet nën kabinën e “Rafale”, sado efikase të jenë.

Pengesat kryesore për këtë afrim, vë në pah ‘Le Monde”, “janë nacionalizmi dhe menaxhimi autokratik i vendit të tij nga presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili pështjellon shtypin, keqtrajton kundërshtarët dhe nxit trazira në Kosovë, pavarësinë e së cilës ai e refuzon”.

Fatkeqësisht, thuhet në fund, presidenti Macron nuk tha asnjë fjalë për të gjitha këto të enjten në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore