Zgjedhjet në Kosovë

LDK dërgon në Supreme vendimin e PZAP-së për Dragashin


LDK- Konferencë për media

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) është ankuar në Gjykatën Supreme, lidhur me anulimin e votave të ardhura me postë në Komunën e Dragashit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për media deklaroi se tre gjyqtarë të PZAP-së i kanë refuzuar të gjitha votat e diasporës, të cilat vota ishin verifikuar, hapur e pranuar si të rregullta nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ajo ka thënë se anulimi i atyre votave që e rikthen Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Dragash si fituese, përbënë përpjekje kundër demokratike.

“Tentimi i anulimit është përpjekje antidemokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë”.

“LDK-ja ka dorëzuar sot mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit në mërgatë për votat e tyre në raundin e dytë. Po ashtu, ka dorëzuar edhe të gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit zgjedhor e vullnetit qytetar”, ka thënë Halimi.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi

Ajo gjithashtu tha se subjekti i saj politik beson se Gjykata Supreme do të mbrojë sistemin zgjedhor.

“Qytetarët e Dragashit të mbesin të qetë. Askush nuk do të prek vullnetin e qartë”.

Ndërsa, gjatë konferencës kandidati i LDK-së për Komunën e Dragashit, Bexhet Xheladini, u shpreh se fitorja i është marrë në tavolinë përmes refuzimit të votave me postë.

“Ne kemi përgatitur një dosje që kemi dëshmuar se vendimi i PZAP-së ka qenë skandaloz dhe s’ka qenë i drejtë”.

“Mua më është marrë fitorja në tavolinë. Jemi të bindur se Supremja neve do të na shpallë si kryetar të ardhshëm të Dragashit”, ka deklaruar Xheladini.

Bexhet Xheladini

PZAP kishte aprovuar ankesën e PDK-së

PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani. 

Në Dragash sërish del PDK e para. Ky subjekt politik vetëm 17 vota më shumë se sa LDK pas anulimit të votave me postë.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numrimit të votave me postë në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i PDK-së, Shaban Shabani kishte arritur të fitoj 5 mijë e 648 vota me një epërsi prej 47 votash në raport me kandidatin e LDK-së, Bexhet Xheladini i cili kihte fituar gjithsej 5 mijë e 601 vota.

Mirëpo, PDK kishte bërë ankesë lidhur me këto vota, pasi që dyshohej se ishin manipuluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore