Kosova

Lavdërohet Kurti për rritje të bruto-produktit vendor: Pesë herë më madhe se në vitin 2000


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë është lavdëruar për rritje të bruto-produktit vendor gjatë qeverisjes së tij.

“Ekonomia e bruto-produktit vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më e madhe se sa në vitin 2000, pas më pak se 25 vjetëve ekonomia është rritur pesë herë e gjysmë”, tha Kurti.

“Ndërkaq krahasuar me vitin kur është shpallur pavarësia, sivjet do ta kemi bruto-produktin vendor tri herë më të madh. Kurse krahasuar me katër vjet, e kemi sivjet 50 për qind më të lartë”, shtoi.

Tutje, Kurti ka theksuar se qeverisja “po bëhet përherë e më e mirë”, duke theksuar se çlirimi sakrifica ndër gjenerata dhe shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur edhe në aspektin e rritjes ekonomike edhe në atë të demokracisë.

“Qytetarët janë më të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia është përherë më e shëndoshë”, potencoi ai.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka shprehur mirënjohje dhe nderime për të gjithë ata që sakrifikuan për liri, derisa falënderoi institucionet që u morën me organizimin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore