Lajme

Latifi për shëndetësinë në Kosovë: E rrënuar nga korrupsioni madhor


Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe eurodeputetët Viola Von Cramon dhe Lukas Mandl.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi konsideron se Shëndetësia në Kosovë është e rrënuar nga korrupsioni.

Kështu është shprehur ai në një takim me eurodeputetët Viola Von Cramon, Lukas Mandl, Radovan Kanev, Karlo Ressler dhe Adreas Schiedler.

Sipas tij, ky sektor në Kosovë, vazhdon të injorohet.

“Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada”.

“Andaj, mund të karakterizohet me siguri edhe me cilësi të ulët të shërbimeve klinike, mungesë të ekspertizës dhe aftësive klinike, mungesë të infrastrukturës moderne, e mbi të gjitha mungesës së aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka përmendur edhe çmimet për të cilat pacientët detyrohen t’i paguajnë për shërim jashtë vendit.

“Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) dërgohen institucioneve publike ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike”,

Rifat Latifi dhe Albin Kurti

Ai tutje ka përmendur edhe shtretërit e spitaleve publike, për të cilët ka thënë se vetëm 50 për qind e tyre janë të shfrytëzueshëm.

“Infrastruktura spitalore është e vjetër, ose e cilësisë së ulët dhe janë të shumta objektet spitalore të filluara, por jo të përfunduara ose të papërfunduara prej shumë vitesh për arsye të ndryshme, që duken si ndërtesa fantazmë që shpërbëhen vit pas viti”.

Sa i përket buxhetit për kujdesin shëndetësor, sipas ish ministrit është më i ulëti në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe “ndër më të ulëtit në botë”.

“Sektori privat i shëndetësisë nuk është aspak i rregulluar (spitale, klinika private dhe barnatore) të cilat janë rritur si këpurdha dhe shpesh mu në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ose spitaleve rajonale. Mungon transparenca se kush i ka këto institucione private shëndetësore”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas 11 muajve nga emërimi dha dorëheqje nga kabineti qeveritar.

Largimi i Latifit erdhi pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje.

Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, ishte thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, është shkruar në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi.

“Bashkangjitur me këtë letër, gjeni një përmbledhje të shkurtër të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si ministër”, ka përfunduar ai.

Si erdhi Latifi në Kosovë?

Më 16 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti, kishte dalë vetë i dyti në konferencë për media. Në krahun e majtë të tij ishte një burrë, përgjithësisht i panjohur për gazetarët e pranishëm.

Sapo mori fjalën, kryeministri sqaroi se zotërinë, që gazetarët kishin përballë, e kishte emëruar ministër të Shëndetësisë. Vendimin e kishte nënshkruar pak para se të dilnin në konferencë.

Për disa minuta ai ravijëzoi rrugëtimin akademik të njeriut të cilit ia kishte besuar shëndetësinë kosovare. Por, për 41 minuta, sa zgjati konferenca, foli për pothuaj gjithçka tjetër, përveç problemeve të shëndetësisë dhe planeve eventuale për t’i zgjidhur ato.

Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i sapoemëruar, ndërkaq, në fokus kishte “mbajtjen dhe kthimin e trurit” në Kosovë.

“Vetëm fakti se unë kam ardhur këtu, prej një rehatie amerikane, prej një pune shumë të mirë, është sinjal i fuqishëm besoj, që edhe të tjerët të na bashkohen në këtë kthim në Kosovë”, kishte thënë Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares së Euronews Serbia, nëse ai si ministër i sapoemëruar kishte ndonjë strategji për ta parandaluar ikjen e doktorëve nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore