Lajme

Latifi: Nëse Arben Vitia ka bërë shkelje të ligjit, të merren organet e drejtësisë


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovsës, Bekim Haxhiu në Kuvendin e Kosovës ka pretenduar se ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është punësuar si drejtor i spitalit “Olive” dhe merr një pagë prej pesë mijë eurosh.

Sipas deputetit të PDK-së, ky veprim është konflikt interesi, pasi ky spital ishte licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për teste PCR.

“Në media u raportu se ish ministri Arben Vitia ka filluar punën në kompaninë Olive në foton e publikuar në media ai shihet në foto me stafin e kësaj kompanie. Në aplikacionin për licencim të spitalit Olive në Ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia figuron staf i kësaj kompanie. Sipas raportimeve paga e ish ministrit pritet të jetë e majme mbi 5 mijë euro. A jeni në dijeni se ky veprim i ish ministrit Arben Vitia është konflikt i interesit pasi që Olive është licencu nga MSh për testet PCR”, tha Haxhiu.

Ndaj këtyre akuzave është përgjigjur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka thënë se në rast se ish ministri i këtij dikasteri ka bërë shkelje më të duhet të merren organet e drejtësisë.

“Është fare e qartë se kjo pyetje është jashtë kompetencave të mia. Nëse ka pasur shkelje të ligjit, do të merren organet e drejtësisë. Unë mendoj që çdo qytetar ka të drejtë të punojë aty ku dëshiron, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat”, ka thënë Latifi në Kuvend.

Bekim Haxhiu dhe Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia më 1 tetor njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Këtë vendim tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Pata privilegjin t’i shërbejë popullit në kohë të vështirë.  Më lejoni të ju njoftoj për vendimin që e kam marrë në dakordim me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbylli angazhimin tim në këtë detyrë,  me të cilën më pat ngarkuar Kurti, ku jam mirënjohës ndaj tij”, deklaroi Vitia, të premten në konferencë për media.

Si ushtruese e detyrës në krye të ministrisë së Shëndetësisë, ish ministri Vitia bëri të ditur se do të jetë Dafina Gexha Bunjaku deri në emërimin e ministrit të ri.

Më 16 nëntor, u morr vendim për ministrin e ri të Shëndetësisë në Kosovë, i cili ishte Rifat Latifi.

Ministri i ri i Shëndetësisë Rifat Latifi, që erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ripërsëritur disa herë që synon që ta kthejë ‘trurin shkencor’ të larguar nga Kosova duke nënkuptuar kthimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore