Shqipëria

Largohet Nasip Naço nga LSI-ja; bashkohet me PS-në


Ish-deputeti i Qarkut të Beratit, Nasip Naço ka braktisur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), për t’iu bashkuar Partisë Socialiste (PS), vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 25 Prillit.

Ky fakt është bërë i ditur nga vetë Naço, teksa merrte pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit në Berat, në prani të ministrit të Kulturës dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ish-ministri i Drejtësisë theksoi se “do të përkrahë të majtën progressive”.

Për më tepër ai deklaroi se “Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike, por për të ecur përpara”.

Unë kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI-ja, kam dhënë kontributin tim ndoshta modest, por përkushtimi ka qenë i madh për të ecur përpara, si në reformën në drejtësi ashtu edhe në reformat e tjera.”, deklaroi Naço.

Largimi Naço-s nga LSI-ja, ka shkaktuar dhe reagimin e parë politik.

Drejtuesi i LSI-së për Qarkun e Beratit, Ardit Çela shprehet se “forca politike që përfaqëson nuk ka kohë të merret me Blendi Klosin, e jo më me shoqëruesin e pestë të tij”.

Nasip Naço në vitet 2008 – 2009, ka qënë Sekretar Politik i LSI-së, për Qarkun e Beratit.

Në periudhën 2009-2011, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

2011-2012, mori postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Më pas rizgjidhet Zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë në korrik 2012.

Në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Drejtësisë së Shqipërisë. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore