Kosova

Largohet billbordi ilegal në Veri, Sveçla: Këto imazhe s’do të gjejnë vend në shtetin tonë


Foto e publikuar nga video-ja e ministrit të Punëver të Brendshme,

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video ku shihet duke u larguar një billbord ilegal në Zveçan, ku kanë qenë të vendosura fotografitë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.

Lajmin e ka bërë të ditur Sveçla përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke thënë se simboli i vetëm i Serbisë në Kosovë, do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

“Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë. Sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës”.

Ai tutje ka thënë se Kosova, është e përcaktuar për vlerat demokratike të saj.

“Si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë”.

“Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, Këto imazhe nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”.

Kreu i MPB-së ka pohuar se në Kosovë s’do të ketë hapësirë për figura të diktatoreve të pushtueseve dhe agresorëve.

“Ne jemi një vend demokratik të përcaktuar qartë për vlerat perëndimore, prandaj që nga sot në asnjë cep s’do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve që janë agresore në raport me Kosovën”, ka thënë Sveçla në videon e publikuar.

Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka paralajmëruar edhe aksione të tjera të ngjashme nga institucionet e Kosovës.

“Rendi dhe ligji në secilin cep të Republikës së Kosovës, pa përjashtim të komunave veriore të Kosovës. Sigurisht që këto duhet të largohen për shkak se orientimi i Kosovës, s’mund të pranoj figura të tilla kontroverse për globin, por sigurisht edhe për rajonin tonë”, ka thënë Kransiqi.

“Ky është vetëm një aksion që do të vazhdoj edhe me largimin e simboleve dhe shenjave të tjera, që nuk janë në përputhje me legjislacionin tonë”.

Billborde të ngjashme janë të vendosura edhe në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore