Sport

Lakers mund të shkaktojë një tjetër cunami në NBA: Ata duan Kevin Durant


Kevin Durant

Los Angeles Lakers po kërkojnë një mënyrë për të përmirësuar ekipin e tyre këtë verë përpara sezonit të ardhshëm dhe një nga emrat që është përmendur më shumë prej disa javësh është ai i Kevin Durant, një nga yjet më të mëdhenj të NBA.

Pengesa e madhe në një negociatë hipotetike është se Durant ka ende dy vite të tjera në kontratën e tij me Phoenix me 51.1 milionë dollarë sezonin e ardhshëm dhe 54.7 milionë dollarë në 2025-26 (ai është basketbollisti i dytë më i paguar në NBA).

Por, Suns do ta pranonte largimin e tij te Lakers, vetëm nëse ata do të vendosnin në tryezë emrin e Anthony Davis, një tjetër prej yjeve të mëdhenj të Ligës, për të filluar të flisnin për një transferim.

Ky kusht prioritar nuk përqafohet nga Lakers, tha reporteri i “ESPN”, Brian Windhorst, duke cituar burime pranë Los Angeles.

“E vetmja tregti që do të funksiononte për Kevin Durant, sepse Suns e kanë bërë të qartë, është Anthony Davis… por Lakers thonë jo”, tha Windhorst. “Biseda ka përfunduar”.

Ëndrra e Lakers do të ishte formimi i një “treshe të madhe” galaktike sezonin e ardhshëm me Anthony Davis, LeBron James dhe Kevin Durant, por për ta marrë këtë të fundit, shpresat duket se po shuhen.

Sipas disa mediave amerikane, Lakers do të ishin të gatshëm t’i bënin një propozim Suns-it pa Davis, por duke përfshirë disa nga lojtarët e tyre të tjerë.

Kjo u zbulua nga uebsajti i specializuar i basketbollit “heavy.com”: “Lakers mund të dërgojë te Phoenix D’Angelo Russell, Max Christie, Taurean Prince dhe Rui Hachimura plus dy zgjedhje të ardhshme të draftit të raundit të parë.

Por, kjo nuk duket e mjaftueshme për Suns që të pranojnë të ndahen me yllin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore