Kosova

Lajmi për mungesën e “stickers”-ave s’është i vërtetë, “janë rreth 300 mijë”, thonë nga MBP për Albanian Post


Ngjitëset për targat KM.

Edhe pse në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zveçan, është raportuar që gjatë pasdites të së martës se kanë arritur vetëm 100 kuti me letra ngjitëse (katër letra për çdo kuti), nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se kanë mjaftueshëm letra për t’i vendosur mbi simbolet shtetërore në targat serbe.

“Në stoqe janë 300 mijë copë në dispozicion, nuk ka mungesë dhe nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Behar Haziraj, zyrtar për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për Albanian Post.

“Ky tender (për letrat ngjitëse) është i përfunduar shumë më herët në kohën kur është arritur marrëveshja”.

Letrat ngjitëse mund të merrën në mjediset e banuara në Jug të Ibrit, në të cilat ka qendra të regjistrimit të automjeteve.

Serbët nga Kosova i marrin letrat ngjitëse në Lapnasellë, në Komunën e Graçanicës, ndërkaq në rrethinë të Anamoravës mund të pajisen në njërën nga komunat me shumicë serbe (Ranillug, Partesh, Kllokot, Novobërd) ose në Gjilan.

Letrat ngjitëse për targat.

Më 30 shtator në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje mbi zgjidhjen e krizës në Veri të Kosovës.

Më 20 shtator, serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, kështu që kalimet në pikat kufitare ishin të mundshme vetëm në këmbësorët.

Ky ishte reagimi i tyre ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të futur masa reciproke me Serbinë për targat, që nënkuptonte që të gjithë pronarët e makinave me targa serbe duhej të merrnin targa të përkohshme.

Targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) për të cilat është arritur pajtim që të futën në Kosovë me një ngjitës, njëjtë sikur targat e tjera të Serbisë, janë targa që Kosova deri më tani i ka konsideruar ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Kjo me marrëveshjen e arritur në Bruksel në mes të krye-negociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviç.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan) “KM” (Mitrovicë), etj., duhej të hiqeshin. Do të thotë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral (KS- Kosovë).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore