Sport

Lajm i mirë për Shqipërinë, rikthehet nga lëndimi Gjimshiti


Një lajm i mirë ka ardhur për kombëtaren e Shqipërisë në futboll para ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian që do të zhvillohen në muajin qershor.

Bëhet fjalë për rikthimin e qendërmbrojtësit të Atalanta-s, Berat Gjimshitin, raporton vetë klubi nga Bergamo.

Qendërmbrojtësi u largua i dëmtuar nga fusha e lojës në ndeshjen e fundit, ku skuadra e tij u mposht nga Salernitana, por me sa duket nuk ishte dëmtim i shkallës së rëndë edhe pse në fillim dukej të ishte ashtu.

Mbrojtësi shtatlartë, në seancat e fundit është integruar me grupin, duke rritur mundësinë që të jetë pjesë e skuadrës që në  sfidën e kësaj fundjave me Verona-n.

30-vjeçari është një lojtar i rëndësishëm te Atalanta, por gjatë këtij sezoni ka pasur disa herë lëdinme.

Megjithatë, ky lajm pa dyshim që do të jetë i mirë për trajnerin e Shqipërisë, Sylvinho-n, ku Gjimshitin do ta ketë nën urdhrat e tij në dy përballjet e qershorit: Ndaj Moldavisë në shtëpi dhe ndaj Ishujve Faroe në udhëtim.

Ky gjithashtu është lajm i mirë për shkak se kuqezinjtë në këto ndeshje do të jenë pa qendërmbrojtësin tjetër, Marash Kumbullën, i cili shkaku i dëmtimit e mbylli sezonin me Romën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore