Kosova

Lajçaku në Romë për “hapat e ardhshëm” në dialog


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, derisa shkroi mbi bilancin e “angazhimit diplomatik” përgjatë javës së kaluar, njoftoi gjithashtu se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ka qenë në fokus të takimeve që zhvilloi në Romë të Italisë.

“Përshëndetje nga kryeqyteti i Italisë – Roma! Udhëtova sot këtu për një sërë takimesh me partnerët tanë italianë. Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çështjet më të gjera rajonale dhe hapat e ardhshëm në muajt e ardhshëm”.

Ai njoftoi se në fillim të kësaj jave takoi edhe Raportuesen e Komisionit për Çështje Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Dora Bakoyannis, në Bruksel të Belgjikës, ku u shkëmbyen pikëpamje rreth procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Lajçaku përmendi edhe Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

“Kam marrë pjesë në ngjarje të shumta me fokus në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një panel diskutimi për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku theksova nevojën urgjente për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky normalizim është thelbësor për stabilitetin e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe përparimin drejt BE-së”, shkroi ai.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i ekipit negociator të palës kosovare, deklaroi të mërkurën se e refuzoi ftesën e BE-së për të negoicuar për çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe akuzoi diplomatin sllovak për shkelje të parimeve, posaçërisht sa i përket caktimit të një takimi pa pajtim paraprak me Qeverinë e Kosovës.

BE-ja ftoi Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihej të zhvillohej më 27 shkurt në Bruksel. Ftesa u bë pas takimeve që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, zhvilloi me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Munih javën e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore