Lajme

Lajçak takon Petkoviç-in, më pas Vuçiç-in


Miroslav Lajcak dhe Petar Petkovic

I dërguari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar në Beograd me drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në kuadër të vizitës së tij në Serbi.

Pas takimit me Petkoviç-in, Lajçak, duke filluar nga ora 11:00, do ta takojë edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Këto takime të top-diplomatit sllovak në Serbi janë në funksion të vazhdimit të diskutimeve për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështjeve të tjera në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve fqinje, të ndërmjetësuar nga BE.

Lajçak ka qëndruar edhe në Prishtinë javën e kaluar në kuadër të një vizite dyditore.

Në Kosovë, emisari i BE-së ka takuar kryenegociatorin kosovar në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ku u tha me këtë të fundit ka arritur dakordim për “hapat e radhët” në procesin e dialogut, si dhe zbatimin “pa vonesa e parakushte” të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

Pos Bislimi, Lajçak është takuar edhe me përfaqësuesit e partive opozitare, përkatësisht të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilëve ua ka prezantuar draft-statutin e Asociacionit, të cilin Kosova e ka pranuar.

Ndërsa, vizita e së martës në Serbi, i paraprin takimit që do të mbahet pas dy ditësh në kryeqendrën evropiane, Bruksel. Ky takim do të jetë në nivel të kryenegociatorëve, pra Bislimit dhe Petkoviç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore