Kosova

Lajçak takon ndaras Bislimin e Petkoviç-in, s’dihet nëse do ketë takim trelateral


Foto nga arkivi: Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, kanë përfunduar takimet e ndara me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa nuk është bërë e ditur nëse do të ketë takim trelateral.

Një zyrtar evropian i informuar lidhur me këto takime ka thënë se është e vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka varet nga atmosfera që do të dominojë gjatë bisedave të ndara, raporton televizioni publik.

Fillimisht, në Bruksel Lajçak-un e ka takuar Bislimi, për rreth dy orë, dhe më pas Petkoviç.

Hera e fundit kur delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ishin takuar ka qenë në fillim të korrikut. Ky takim, si edhe shumë të tjerë, kishte përfunduar pa ndonjë rezultat.

Sa i përket takimeve të nivelit të lartë, përkatësisht liderët e shteteve përkatëse nuk janë takuar për më shumë se një vit.

Takimet e së martës vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, pasi që autoritetet kosovare kanë mbyllur disa objekte të komunave paralele në Veri të vendit, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shpalli disa masa gjoja për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), mirëpo zbatimi i saj – përkundër insistimit ndërkombëtar – nuk duket askund në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore