Lajme

Lajçak: S’duhet të lejojmë një përleshje tjetër mes Beogradit dhe Prishtinës


Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se i kupton kritikat e drejtuara ndaj Bashkimit Evropian pas Samitit të fundit BE-së, por edhe tensionet gjatë vizitave në Kosovë dhe Serbi gjatë muajit qershor.

Lajçak thotë se “nuk duhet të lejojmë një tjetër përleshje mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Po ashtu ai kujtoi miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë me Kosovë dhe Serbisë.

“Jam i bindur se nuk është në interesin e asnjërës palë që ajo kontratë të jetë peng i situatës së sotme”, tha Laçak në një intervistë për Nedeljnik.

Më 29 qershor, diplomati sllovak ishte për vizitë në Kosovë.

Lajçak gjatë një konference për media në Prishtinë, pati thënë se “e dini që kemi pasur dy takime deri tani mes Kurtit dhe Vuçiçit. Por, jemi angazhuar nëpër takime individuale, që të sigurohemi që takimi i radhës të japë rezultat”.

Më tej, ai ka shprehur se “dëshirojmë që ata të takohen dhe të pajtohen për çështje të rëndësishme për qytetarët. Kemi pasur edhe një darkë jo formale në Berlin dhe tani ndiej se e kemi momentumin që të fillojmë takime më të shpeshta dhe më të rregullta në mes të krerëve”.

I pyetur se a është prezantuar një version për Asociacionin nga pala kosovare, që i bën karshi modelit aktual, të cilin Kosova nuk e pranon, Lajçak u përgjigj negativisht.

“S’më është prezantuar asnjë model tjetër”, tha shkurtazi ai, porse e bëri të qartë se nga pala serbe kjo temë, Asociacioni, gjithmonë nxirret si pjesë e bisedës.

Lajçak, gjatë konferencës në Prishtinë, pohoi se pas saj niset drejt Veriut të Kosovës, ku do të zhvillojë takime dhe se, më pas, do të udhëtojë për në Beograd, për pjesën e dytë të kësaj vizite.

Por, më pas, ai ka deklaruar se vendimi i Kosovës për reciprocitet për letërnjoftimet, “ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij”.

Ndërsa, ka bërë thirrje që të mos tensionohet situata dhe të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Unë erdha në rajon për t’u përgatitur për takimin e radhës të liderëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet ta zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore