Kosova

Lajçak në Kosovë për dialogun – serbët paralajmërojnë bllokim shumëditorë të kufijve   


Miroslav Lajçak

Në ditën kur serbët do të nisin bllokimin shumëditorë të pikëkalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, Prishtinën pritet ta vizitojë i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ndonëse arsyeja zyrtare e vizitës së tij në Kosovë nuk dihet, diplomati sllovak kishte bërë të ditur se është duke punuar për përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut.

Vizita e tij në Kosovë vije vetëm një javë pas aksionit të Policisë së Kosovës në Veri të vendit ku u mbyllën disa institucione paralele të Serbisë.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në Veriun e banuar me shumicë serbe.

Pikërisht për këtë aksion të Policisë në Veri, serbët kanë paralajmëruar se të premten me fillim në orën 18:00 do të nisin bllokimin e katër pikëkalimeve kufitare nga drejtimi i Serbisë për në Kosovë.

“Ne do t’i bllokojmë pikëkalimet në Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë dhe pikëkalimin në Kulu në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet për momentin”, ka thënë njëri nga organizatorët e aksionit në fjalë në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Beta.

Bllokada, sipas organizatorit, do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga Veriu i Kosovës dhe derisa serbët do t’i marrin përsëri drejtimin e institucioneve në këtë pjesë të vendit.

“Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244, të marrë nën kontroll Veriun e Kosovës”, është shprehur ajo.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë qytetarëve dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare me Serbinë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të paralajmërimeve për bllokim të pikëkalimeve kufitare.

Në anë tjetër punonjës të institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë kanë protestuar gjatë kësaj jave, disa ditë pas mbylljes nga autoritetet e Kosovës të pesë institucioneve paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht në veri të Kosovës, ndërsa më herët, në gusht, u mbyllën edhe degë të postës serbe atje.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), në një përgjigje për shtypin kosovar të mërkurën, ka kërkuar nga serbët që t’i shmangin veprimet që mund të krijojnë tensione në vend. KFOR-i ka thënë se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme” në vend, duke shtuar se “ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore