Kosova

Lajçak: Me Bislimin diskutova edhe për çështjen e Urës, së shpejti takimi në nivel kryenegociatorësh


Ilustrim

Pas rreth dy orë diskutimesh i deleguari i Bashkimi Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se vizita e tij në Kosovë dhe takimi me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, kishe për qëllim “përgatitjen e një takimi të nivelit të kryenegociatorëve, i cili do të mbahet në ditët e ardhshme”.

“Ne diskutuam në detaje agjendën e këtij takimi dhe çështjet të cilat duhen diskutuar”, tha ai në një konferencë të shkurtër për media, të premten.

Edhe hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, sipas diplomatit sllovak, ka qenë njëra ndër çështjet e diskutuara me Bislimin.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i mirënjohur, por duhet ta përsëris: Ura duhet të hapet, por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, shtoi ai.

Lajçak ndër të tjera njoftoi se me Bislimin janë pajtuar “për diçka”, por pa dhënë detaje të tjera.

Diplomati sllovak ka thënë se ajo për të cilën janë pajtuar nuk mund të thuhet pa u koordinuar me të tjerët.

Ndër çështjet kryesore të diskutuara, të premten, sipas Lajçak ka qenë se si mund të zhbllokohet ngërçi në raport me mosimplementimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Brnabiç) është tërhequr”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore