Lajme

Lajçak: Ka progres në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut


Miroslav Lajçak

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun mes dy vendeve respektive.

Këto komente, Lajçak i ka bërë në Bruksel gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës”, ku ka theksuar se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr, pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim”, tha Lajçak, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

“Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, shtoi ai, duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin.

Top-diplomati sllovak ka bërë thirrje që të mos humbet koha për implementimin e obligimeve që janë derivat i dialogut dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtim drejt BE-së.

Lajçak ka theksuar se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vlerësimin e sllovakut, momentalisht është një moment i ti në procesin e zgjerimit, që është shumë më i favorshëm sesa më parë. Ky moment i ri, tha ai, “është krijuar nga Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, dhe agresioni i tij ndaj Ukrainës”.

Megjithatë, Lajçak potencoi se “gjeopolitika e ka hapur derën për integrim në BE, por ajo nuk do t’ju kalojë vetvetiu juve përmes kësaj dere, sepse për një gjë të tillë duhet të përmbushen kushtet”.

“Për herë të parë e shoh BE-në më të gatshme për Ballkanin sesa Ballkani për BE-në”, pohoi ai, duke përsëritur që vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura mes tyre, në mënyrë që një ditë të mos mund të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore